Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur sot në pikën kufitare Merdar, ku është arrestuar Sinisa Spasiq rreth 59-vjeçar, i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe po hetohet për krime të kryera më 6 prill 1999, në komunën e Vushtrrisë, rajoni i Mitrovicës. Hetimet tregojnë se krimet janë kryer në mënyrë të organizuar nga njësi të MUP-it serb, ku Spasiq shërbente si rezervist aktiv.
Arrestimi është bërë nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të cilët në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore. Brenda afatit ligjor, ndaj tij do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Spasiq ishte përfshirë në kallëzimin penal të dorëzuar më 22 qershor 2022 në Prokurorinë Speciale, ku figuron ndër të dyshuarit për masakrat ndaj shqiptarëve në Vushtrri.