Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë vazhduar të qëndrojnë në sallën e Kuvendit, edhe pasi Kryesuesi Avni Dehari i ndërpreu punimet.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri kërkoi hetim në sektorin energjetik, duke thënë se askujt më shumë se grupeve kriminale nuk iu konvenon moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Tahiri tha se nëse kjo situatë vazhdon, Kosova do të zbrazet, e siç tha ai kjo nuk duhet lejuar.
“Siç tha edhe deputetja Bajrami duhet të ketë një hetim në sektorin e energjisë. Energjia nuk është luks në vendin tonë, është nevojë për secilin qytetar. Sot kostoja e energjisë po bëhet e papërballueshme. Situata në të cilën jemi, qytetarët e Kosovës e kanë vetëm një rrugëdalje – vetëm largimin nga Kosova. Nuk duhet ta lejojmë që të vazhdojë kjo situatë edhe më tutje dhe Kosova të zbrazet. Prandaj askujt më shumë se këtyre grupeve kriminale nuk ju konvenon moskonstituimi i Kuvendit”, tha Tahiri. /Reporteri.net/