Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, nuk pret që SHBA-ja të ndërhyjë në zgjidhjen e problemeve në Ballkan, përfshirë kontestin mes Kosovës dhe Serbisë, siç ka bërë në të kaluarën.
Sipas tij, ky rajon nuk është prioritet ditor për SHBA-në dhe zgjidhjet duhet të vijnë nga brenda.
Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë.
“Ballkani është, padyshim, një punë e papërfunduar në Evropë, por njerëzit në Ballkan duhet të kuptojnë se në pjesë të tjera të botës, po ndodhin gjëra të tjera. Ndaj, nuk duhet të presin që njerëzit t’i lënë mënjanë problemet me të cilat po merren, qoftë në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme, dhe të thonë: Në rregull, Kosovë, do të mundohemi të të ndihmojmë me këtë”, thotë Hill.
Ai thekson se Kosova duhet ta çojë përpara themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thotë se edhe Serbia ka punë për të bërë, por nënvizon se ajo është duke ndihmuar Ukrainën – prioritetin kryesor në Evropë, sipas tij.
“Fakti që po mundohemi t’i menaxhojmë disa nga interesat tona me Serbinë, nuk do të thotë që jemi kundër Kosovës. Ne kemi shumë interesa edhe në Kosovë”, thotë Hill.
Një pjesë e intervistës
Radio Evropa e Lirë: A prisni që Shtetet e Bashkuara të kenë një rol aktiv në lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi, apo do të ishte më efektive të lihej BE-ja të udhëheqë?
Christopher Hill: Mendoj se SHBA-ja, prej vitesh, ka thënë se kjo është një çështje që, realisht, duhet ta zgjidhin evropianët. SHBA-ja ka pasur një të dërguar të posaçëm për disa vite, por, në rrethanat aktuale, do të prisja një angazhim më të kufizuar të drejtpërdrejtë, krahasuar me të kaluarën.
Prandaj, mendoj se ideja që SHBA-ja të jetë e përfshirë plotësisht çdo ditë në Ballkan, do të ndryshojë shumë. Do të shihni interesa biznesore të SHBA-së në Ballkan, do të ketë edhe aktivitete diplomatike, pa dyshim. Por, nuk do të prisja që SHBA-ja të ndërhynte dhe të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të njerëzve. Njerëzit do t’i zgjidhin vetë problemet e tyre.