Gazetari dhe autori i emisionit Rubikon, Adriatik Kelmendi ka reaguar ndaj situatës së krijuar pas zgjedhjeve, duke kritikuar qasjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe deputetëve të Vetëvendosjes për bllokimin e formimit të institucioneve.
Në një postim në Facebook, Kelmendi thekson se Kurti tash e dhjetë javë po hesht dhe po ia lë, siç e quan ai, “marrëzitë”, deputetëve të tij.
Ai veçon disa prej deklaratave të figurave të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i kundërshtuar me fakte.
Ndaj deklaratës së Mimoza Kusari-Lilës se Albulena Haxhiu duhet të bëhet kryetare e Kuvendit pasi është më e votuara, Kelmendi thotë se ky post zgjidhet nga deputetët dhe se në fakt më shumë vota kanë marrë Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.
Për pretendimin e Haxhiut se nuk po votohet për shkak të seksizmit, ai përmend që ish-opozita ka propozuar dy gra tjera për këtë post – Shqipe Selimin dhe Saranda Bogujevcin – duke e cilësuar deklaratën e Haxhiut si potencialisht fyese për to.
Ai kundërshton edhe deklaratën e ministrit Hekuran Murati për pamundësinë që të dyja palët të kenë nga 61 vota për funksionimin e Kuvendit, duke e quajtur këtë një keqinterpretim të vetë logjikës së marrëveshjeve politike.
“Situatë ku egoja është më e madhe se dija dhe kompetenca”, përfundon Kelmendi, duke ngritur shqetësimin për mungesën e vullnetit për zgjidhje institucionale.