Lëvizja Vetëvendosje, të enjten, ka mbajtur tubim zgjedhor në Komunën e Rahovecit, ku kandidati për kryeministër nga radhët e kësaj partie, Albin Kurti, ka thënë se fushata zgjedhore i ngjason pak si muaji i Ramazanit.
Në vlerësimin e tij 10 ditët e fundit të këtij muaji të shenjtë për besimtarët mysliman janë më të vështirat.
“Fushata zgjedhore është pak si Ramazani, 10 ditët e fundit janë më të vështirat, por pikërisht në 10 ditët e fundit duhet me i dhënë zor më shumë, dhe pas muajit të Ramazanit vjen festa e Bajramit”, ka vlerësuar ai.
Gjatë fjalimit të tij, Kurti vlerësoi se zgjedhjet e 9 shkurtit nuk do të jenë të zakonshme e as të jashtëzakonshme, meqë atë ditë do të ketë referendum.
“Zgjedhje ka në vitin 2029, me 9 shkurt ka referendum për të vazhduar përpara punët e mira e të mbara që i kemi nisur, ose për t’u kthyer prapa, e për të rrënuar punët e mira që i kemi nisur”, tha ai.
Progresi i këtyre katër viteve, sipas Kurtit, është ndjerë cep më cep në tërë Kosovën.
Në tentim për të goditur opozitën, Kurti ka dhënë si shembull sistemin e ujitjes “pikë-pikë” duke thënë se të mirat vijnë “‘pikë-pikë’ nga toka prej njerëzve punëtorë”.
“Ata të cilët nuk i kanë marrë të mirat “pikë-pikë” e janë pasuruar në kurriz të popullit do ta mësojnë çka është sistemi “cent për cent”, tha Kurti duke përmendur funksionalizimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ndër të tjera, Kurti ka vlerësuar se Qeveria e tij është “kritikuar, sulmuar e sfiduar” nga ata që thoshin ose “sovranitet shtetëror ose partneritet ndërkombëtar”.
“E ne i kemi bërë që të dyja”, pohoi ai, duke harruar se Kosova që nga qershori i vitit 2023 është nën masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian që u vendosën për shkak të mosgatishmërisë së ekzekutivit për të bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar për situatën në Veri./AlbanianPost