Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e ka kritikuar ashpër paraqitjen e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ajo ka bërë me dije se në paraqitjen e tij kryediplomati kosovar dënimin prej 81 vite burgim të krerëve të UÇK-së e trajtoi me një gjuhë të zbehtë.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se Konjufcës i mjaftoi konstatimi se aktgjykimi i Speciales ka “gabime në përmbajtje dhe fakte”.
“Në Këshillin e Sigurimit, Glauk Konjufca e trajtoi aktgjykimin ndaj çlirimtarëve tanë me një gjuhë të zbehtë, duke u mjaftuar me konstatimin se ka “gabime në përmbajtje dhe fakte” që pritet të korrigjohen në Apel! 81 vjet burg për katër figura të luftës sonë çlirimtare meritojnë shumë më tepër sesa një shprehje shqetësimi! ASNJË fjalë për rolin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimi në çlirimin, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës!”, ka shkruar ajo.
Ajo ka vlerësuar se kryediplomati është dashur të kundërshtojë fuqishëm aktgjykimin e Speciales.
“Dhe këtë qasje e dëgjuam pikërisht nga njeriu që është caktuar ta udhëheqë strategjinë shtetërore për Hagën! Nëse në Këshillin e Sigurimit nuk artikulohet fuqishëm kundërshtimi ndaj këtij aktgjykimi, ku dhe kur do të artikulohet? Ministër, aty nuk përfaqësoni një parti apo një qeveri. Përfaqësoni Republikën e Kosovës dhe historinë e saj! Padrejtësia nuk kundërshtohet me diplomaci sa për formalitet. E vërteta historike nuk mbrohet me gjysmë zëri”, ka shkruar ajo.



