Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kandidat për kryeministër të Kosovës nga koalicioni për Kosovën Fituese e ka përjashtuar çdo bashkëpunim për qeverisjen e ardhshme me partinë e kryeministrit aktual Albin Kurti.
Haradinaj në një intervistë për gazetën online Reporteri.net, ka thënë se asnjë post dhe asnjë ofertë nuk do ta bindë që të hyjë në qeverinë e ardhshme me Vetëvendosjen e Albin Kurtit.
“Ne po luftojmë për vend të parë si koalicion. Ka plot parametra që na bëjnë kandidat për të udhëhequr me qeverinë e vendit. Po synojmë që qeverinë ta udhëheqim, por si qeveri e opozitës nuk e planifikojmë asnjë marrëveshje, asnjë bashkëpunim me Kurtin.”, tha ai.
Haradinaj u shpreh i hapur për bashkëpunim me LDK-në dhe PDK-në.
“Jam i hapur për opozitën për bashkëpunim, pra për partitë opozitare LDK e PDK. Jo, jo, jo… Jo shansë por nuk bëhem pjesë e shkatërrimit të vendit. Është më keq situate sesa lufta për pushtet ose për poste. Nuk ka asnjë ofertë, asnjë post që më lejon mua, që i kam kaluar këto që I kam kaluar dhe që I di zhvillimet në vend, në rajon dhe botë, veçanërisht ato të Washingtonit që ta bëjë një veprim të tillë antikombëtar.”, ka thënë ai.
Ai tha se sipas matjeve Vetëvendosje është përgjysmuar.
“Ne besojmë se në këtë situatë të gjithë jemi në garë për vendin e parë, po flas mi fitu zgjedhjet. VV ka qenë shumë lart por ka rënë përgjysmë rezultatit të vetë, unë mendoj se është rreth 25 për qind sipas disa vlerësimeve e matjeve dhe nga ato që i shohim se po ndodhin. Edhe ne të tjerët jemi rreth 20 %, 20 plus, 20 minus.”, është shprehur ai./Reporteri.net