Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se shpërthimi i mbrëmshëm në Zubin Potok është kopjuar nga “libri i sulmeve ruse” në infrastrukturën kyçe në Ukrainë.
“Infrastruktura kryesore kritike e Kosovës u godit në një sulm terrorist me një eksploziv të fuqishëm. Është dëmtuar rëndë një objekt kyç i nevojshëm për furnizim me ujë dhe prodhim energjie”, ka thënë Gërvalla në rrjetin social “X”.
Ajo shtoi se policia është duke hetuar rastin, ndërsa ekspertët po punojnë për minimizimin e dëmeve të qytetarëve.
“Sulmi është një shembull tjetër i agresionit terrorist kundër demokracisë sonë, në përputhje me sulmin e dështuar paraushtarak të shtatorit 2023, i cili ishte koordinuar, trajnuar dhe financuar nga Serbia”, shkroi Gërvalla.
Ajo vlerësoi gjithashtu se sulmi ishte kopjuar nga “libri i sulmeve ruse” në infrastrukturën kryesore në Ukrainë.
Kërkojmë nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë që të bëjnë presion mbi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që menjëherë të ndalojë organizimin dhe nxitjen e konflikteve në rajon”, ka shkruar tutje ajo.
https://twitter.com/gervallaschwarz/status/1862634283581538340