Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shprehur shqetësimet e tij për tendencën destabilizuese të Serbisë në vendin tonë.
Në një konferencë të përbashkët pas takimit me kryetaren e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakoçar Zupançiq, Konjufca ka thënë se nuk mund të flitet për fqinjësi të mirë dhe paqe pa u dënuar kryerësit e krimit në Banjskë të Zveçanit.
“Kosova është ende në pritje të përgjigjes për kërkesën e saj për anëtarësim në BE, duke qenë i vetmi vend në rajon që nuk e ka këtë status. Ja shpreha shqetësimin tonë për tendencat destabilizuese të shtetit serb në Kosovë. Nuk mund të flasim për fqinjësi të mirë dhe paqe në rajon pa u dënuar kryerësit e këtij krimi (vrasjes së Bunjakut). Falënderova zonjën Zupanciq që Sllovenia është në mesin e shteteve që është pro heqjes së masave ndaj Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Kryeparlamentari e ka quajtur shokuese deklaratën e Bashkimit Evropian se po presin nga Kosova raport për sulmin në Banjskë, teksa ka shtuar se Serbia favorizohet në procesin e dialogut.
“Favorizimi i padiskutueshëm i Serbisë në këtë proces si dhe vendosja e Kosovës në një pozicion të pafavorshëm, po them kështu se Kosova veprimet më të vogla që i ka marrë janë dënuar më ashpër prej BE-së ndonjëherë, edhe më shumë se sa që është dënuar sulmi i Banjskës. Edhe reagimi i fundit për ne ishte shokues, kur u tha se Kosova ende nuk ja ka dërguar asnjë raport për sulmin e Banjskës. Ka qenë gjithmonë një justifikim i Serbisë dhe relativizim i përgjegjësisë që e ka në destabilizim të rajonit”, ka thënë ai./Reporteri.net