16.7 C
Mitrovice
E premte, 12 Shtator, 2025
spot_imgspot_img

Komandanti i KFOR-it: Situata e sigurisë e brishtë, por jemi të pajisur mirë

Komandanti i Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), Ozkan Ulutash, në një intervistë për rrjetin e “A2CNN” të martën, tha se situata e sigurisë në Kosovë është stabile por e brishtë, derisa shtoi se forcat paqeruajtëse janë të pajisura mirë dhe të gatshme t’i përgjigjen çdo kërcënimi të mundshëm.

“Jemi të pajisur mirë dhe të gatshëm për të trajtuar çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe vazhdojmë të operojmë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët jemi në koordinim të ngushtë”, theksoi komandanti turk i KFOR-it.

Rreth 1000 ushtarë shtesë në kuadër të KFOR-it kanë zbarkuar në vend – prezenca më e madhe e NATO-s në dhjetë vitet e fundit – kryesisht për shkak të paralajmërimeve për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë dhe cenimit të paqes e sigurisë. Ulutash theksoi se në varësi të situatës mund të ketë dislokime e trupave shtesë.

“NATO rishikon vazhdimisht prezencën dhe mbetet e gatshme ta rregullojë sipas nevojës ose ta përshtasë. Përmes një rritjeje prej 1000 trupash, NATO vendosi forca shtesë rezervë në Kosovë pas dhunës që ndodhi vitin e kaluar. Për të parandaluar çdo rrezik të përshkallëzimit ose rritjes së përtërirë të dhunës, ne jemi të gatshëm t’u përgjigjemi sfidave të mundshme”.

E sa i përket bazave ushtarake serbe që gjenden afër vijës kufitare të Kosovës dhe pretendimeve të autoriteteve kosovare se Serbia është duke stërvitur paramilitarë për ta sulmuar vendin, komandanti i KFOR-it potencoi se do të vijojnë përpjekjet për të parandaluar çdo përshkallëzim të situatës, ndërsa kërkoi përgjegjësi për sulmin terrorist të vitit të kaluar.

“NATO vazhdon të kërkojë përgjegjësi për sulmet e dhunshme të 29 majit dhe 24 shtatorit. Hetimet për incidente sikurse Banjska përfshijnë koordinim me autoritetet lokale dhe palët e interesuara. Prandaj, ne u kemi kërkuar autoriteteve përkatëse në Prishtinë dhe Beograd që të kryejnë hetimet e nevojshme ligjore për të vërtetuar faktet dhe për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë”./AlbanianPost

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT