Pushka e Formacionit të Adem Jasharit ishte ajo që e shkundulloi dhe e zgjoi botën shpirtërore shqiptare nga gjumi i ëndrrave të këqija dhe i fantazive fëmijërore. Hero i kësaj kthese të madhe gjithnjë Adem Jashari, çeta e tij, familja e farefisi e gjithë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Prandaj, kullat e rrënuara nga armiku, Kullat e qëndresës shqiptare, janë tempujt e rëndësishëm të modernitetit shqiptar, janë monumentet më të vizituar pas luftës në Kosovë, dhe janë të paktë ata shqiptarë që nuk u përkulën para qëndresës shqiptare.
Regjimi kriminal i Beogradit, ndoshta edhe më dhënien e dritës së gjelbër nga ndonjë vend i fuqishëm, ndërmori aksionin e rrufeshëm për zhdukjen e Adem Jasharit, të Jasharëve dhe të UÇK-së, për zhdukjen e qëndresës dhe të lirisë, ndoshta, kjo bëhej në pajtim edhe më krerët e pacifizmit e të politikave të pritjes. Politikat e pritjes, ishin hesape pa hanxhinë, ishin miopi e shekullit që mund të pillte vetëm ndonjë mi.
Efektet qenë të kundërta nga ato që priteshin. Qëndresa dhe tragjedia e Jasharëve të Prekazit, përfundoi periudhën e pritjes se kotë e të zgjerimit individual të UÇK-së dhe e filloi vrullshëm periudha e zgjerimit masiv të saj: përfundoi qëndresa e ushtrisë e organizuar në grupe, filloi qëndresa e ushtrisë së organizimit masiv, që do të shkojë me hapa të shpejtë drejt strukturimit dhe profesionalizimit të saj.
Ndeshjet e ardhshme s’ishin gjë tjetër veçse legjitimiteti i fuqishëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për clirimin e Kosovës. I ushtrisë që e ngriti në agjendat më të larta ndërkombëtare çështjen kombëtare të shqiptarëve – duke çliruar Kosovën edhe me ndihmën e SHBA-së, BE-së e të NATO-s, mundi në rrafshin politik, ushtarak e diplomatik Serbinë e krimit e të gjenocidit.
Në kohën kur “shkenca” e historisë mbulohet me monografi të filanit e të fistekut të shkruara për para e porosi, pse dikush i disponon ato ku ta dish si, në kohën kur sekush në Kosovën e pasluftës vrapon për të grabit dhe të pagrabitshmët – nderin dhe lavdin ku është e ku s’është, të krijojnë historira për tu balancuar më Jasharët legjendar, thurin himne e lëvdata gjysmake e të paqena, bëjnë filma dhe shpallen legjenda të gjalla në kërkim të lavdisë që u ikën përditë.
Jasharët e mbijetesës me thjeshtësi dhe urtësi fisnike vështrojnë zhvillimet në shoqërinë shqiptare dhe presin nga historia që të vendos në piedestalin e saj Lavdin e secilit që e meriton, sigurisht duke qenë të bindur se lavdia nuk shkon te ai që e kërkon, por të ai apo ata që e meritojnë.
E të merituar janë të “gjithë” në Kosovë, por meritat jo gjithherë janë të dukshme në përmasa të meritueshme në Kosovë. Është fakt, lavdin si Jasharët e para Jasharëve se meriton askush dhe jo vetëm në Kosovë. Epopeja e Jasharëve, Epopeja e UCK-së e 5, 6 e 7 marsit 1998 është ngjarje e paparë dhe pa përsëritshme edhe në historinë e përbotshme të luftërave çlirimtare. Asaj nuk mund ti krijohen balance as të vjetra e as të reja. Jasharët kanë edhe diçka tjetër të veçantë nga gjithë të tjerët.
Nëse të tjerët kanë nevojën e ndërtimit të kullave apo të kështjellave të reja mesjetare për të dëshmuar prezencën e tyre apo edhe fuqinë e tyre ekonomike, që e kanë të vështirë për ti arsyetuar burimet financiare. Jasharët i kanë konservuar Kullat familjare që dëshmojnë luftën çlirimtare të lavdisë e të tragjedisë kombëtare me të cilat dëshmohet fuqia e guximit dhe e vendosmërisë për komb, Liri dhe atdhe. Kullat e Jasharëve janë Kulla të masivizimit e të mobilizimit të një populli të tërë për liri, për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Kullat e Jasharëve në Prekaz të Drenicës, janë kulla që prezantojnë fuqinë politike dhe ekonomike, fuqinë mobilizuese e luftarake të Jasharëve dhe të popullit shqiptar në përgjithësi. Janë memoriali më madhështor i lirisë së shqiptarëve në fund të shekullit XX, aty ku janë flijuar njëherësh tre breza heronjsh në një familje shqiptare të standardit të lartë njerëzor e kombëtar.
Shkurt, Jasharët Legjendarë, gjithë dëshmoret e martiret e kombit, luftëtarët idealistë, brezat që u rriten në Lirinë e Pavarësinë e Kosovës, që ua solli fitorja e madhe e Luftës Çlirimtare kërkojnë punë më shumë se fjalë të mira, por a mund t’i bëjnë këto punë të mira, ata që vetëm folën e kurrë nuk lëvizin asnjë gur për Liri e Pavarësi?!
Autor: Jakup Krasniqi