spot_img
spot_img

Igballe Islami: Dhënia në shfrytëzim e pronës në Kçiq përbën shkelje, mbështetja për të prekurit nga rrëshqitjet e dheut e pamjaftueshme

Asamblistja e zëshme e PDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, Igballe Islami, ka kritikuar ashpër vendimin për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale të zonës kadastrale në Kçiq të Madh, shkruan Mitrovica SOT

Ajo tha se prona u dha në shfrytëzim pa u ofruar ndonjë i informacion për pronën që po trajtohej dhe se, për më tepër, kompetencat për këtë i janë bartur Drejtorisë për Punë e cila ende nuk është funksionalizuar.

Islami mes tjerash tha se mbështetja me 250 euro për 12 muaj për familjet e prekura nga rrëshqitjet e dheut është e pamjaftueshme, duke përkujtuar se më herët janë mbështetur me 2.500 euro e më pas me 10 mijë.

“Pronat komunale dhe fondet publike kërkojnë transparencë, procedura të rregullta dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve”, përfundoi ajo.

Postimi:

Sot, në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa, drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër propozoi si pikë shtesë formimin e Komisionit Vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale në zonën kadastrale Kçiq i Madh, pa u shpërndarë paraprakisht materiali dhe pa u ofruar asnjë informacion lidhur me pronën që do të trajtohej.

Kjo është e papranueshme. Aq më tepër kur, me plotësim-ndryshimin e Rregullores për organizimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e administratës komunale, kompetencat për shfrytëzim, këmbim dhe shpronësim të pronës komunale i janë bartur Drejtorisë për Pronë.

Meqenëse kjo drejtori ende nuk është funksionalizuar dhe nuk ka drejtor të emëruar, shtrohet pyetja: mbi çfarë baze ligjore Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër po i procedon këto çështje?

Ne e kundërshtuam këtë mënyrë të veprimit dhe votuam kundër, sepse prona komunale nuk mund të trajtohet pa transparencë dhe pa përgjegjësi.

Po ashtu, kërkova që subvencionimi i organizatave të bëhet përmes thirrjes publike dhe jo me vendime për ndarjen e vetëm 500 eurove. Thirrja publike siguron transparencë, trajtim të barabartë dhe u jep mundësi organizatave të konkurrojnë për mbështetje më të madhe, sipas vlerës së projekteve dhe kritereve të përcaktuara.

Ndërsa për familjet e prekura nga rrëshqitjet e dheut, propozimi për mbështetje prej vetëm 250 euro në muaj për 12 muaj është i pamjaftueshëm. Duke pasur parasysh se më herët janë mbështetur me 2,500 euro dhe më pas me 10,000 euro, është e qartë se nevojitet një trajtim më dinjitoz, me mbështetje më të madhe dhe angazhim të nivelit lokal e qendror.

Pronat komunale dhe fondet publike kërkojnë transparencë, procedura të rregullta dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve

TË FUNDIT

TË FUNDIT