Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në Prishtinë, zyrtaren e lartë të Departamentit të Shtetit Amerikan, Molly Montogomery.
Zëvendës ndihmësja e sekretarit të Shtetit, Molly Montgomery në këtë takim ka theksuar marrëdhënien ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, e veçanërisht lidhjen e fortë personale që Presidenti Biden ka me Kosovën.
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo ka falënderuar kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe mbështetjen në çështjen e strehimit të qytetarëve afganë.
Kryeministri Kurti ka deklaruar se kjo ndihmë ishte obligim humanitar i Kosovës, duke shtuar se Kosova dëshiron t’i qëndrojë në krah ShBA-ve, si aleat trategjik.
Ai e falënderoi për mbështetjen e dhënë për Forcën e Sigurisë së Kosovës për pajisje dhe trajnime, si dhe shprehu vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë. Po ashtu e njoftoi për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, ku përfshihet edhe ndarja e mbi 100 milionë eurove për ushtrinë.




