5.6 C
Mitrovice
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img

Zyrtari policor në veri dyshohet se ka lidhje me grupin e Millan Radoiçiq

Një grup i organizuar, ende po vazhdon të operoj me kontrabandë në veri të vendit.

Grupi dyshohet të ketë lidhje të forta edhe me një zyrtar policor shqiptar, i cili është pjesë e Inteligjencës së Policisë së Kosovës.

Zyrtari G.K, emër i njohur për redaksinë, në disa fotografi të siguruara nga televizioni, shihet duke u shoqëruar me grupin e kontrabandës në veri, nofka e të cilëve është “Limuncat”.

Pjesë e grupit janë Millosh Vicentijevic dhe Miljan Vicentijevic, të cilët kanë lidhje biznesore me Radule Stevic, personi i cili është pjesë e aktakuzës në rastin “Banjska”, si i akuzuar për pastrim të parave.

Sipas burimeve të TËVË1, këto fotografi e vërtetojnë bashkëpunimin e policit G.K, në këtë grup të kontrabandës.

Për t’ia mundësuar Millan Vicentijeviqit kontrabandimin e mallrave nga Serbia në Kosovë, G.K dyshohet se u pagua prej 400 deri në 800 euro.

Përveç lidhjes me këtë grup, institucionet e sigurisë kanë dyshime të bazuara se zyrtari policor G.K, dërgon edhe informacione te BIA serbe.

Polici emër i njohur për redaksinë përveç pasaportës së Kosovës, posedon edhe një letërnjoftim të Serbisë.

TËVË1 ka siguruar këtë letërnjoftim, mirëpo për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit nuk do ta zbuloj këtë dokument.

G.K dyshohet se është pajisur edhe me pasaportë të shtetit serb.

Madje, TËVË1 ka mësuar se kur kamionët e Millan dhe Millosh Vicentinjeviq bllokuan më 24 shtator urën në fshatin Banjskë të Zveçanit, komunikuan me G.K për të marrë informacione rreth lëvizjeve të Policisë së Kosovës.

Pjesë e grupit është edhe kunati i Radule Stevic, Ivan Grubor, për të cilin i kemi siguruar edhe këto fotografi gjatë një takimi në Mitrovicë të Veriut.

Grupi bashkëpunon edhe me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, fakt i cili vërtetohet përmes këtyre fotografive të Millan Vicentijeviq pranë Vuqiqit në vitin 2018, në inaugurimin e Qendrës për Ekologji dhe Zhvillim të Sportit, në afërsi të liqenit të Ujmanit.

Qendra dyshohet se është përdorur edhe për aktivitete terroriste.

Ndaj zyrtarit G.K, Policia e Kosovës e kishte nisur një hetim të brendshëm në vitin 2015.

Sipas dokumentetit të siguruar, G.K gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në pikën kufitare në Jarinje, kishte regjistruar hyrje të kamionit nga Serbia në Kosovës në emër të Dragisa Miletic, për cka raporti thotë se ky kamion nuk kishte hyrë fare në territorin e Kosovës dhe se emri ishte vendosur i dikujt tjetër.

Raporti vlerëson se me këtë veprim është bërë shkelje e rëndë disiplinore.

Në një përgjigje për Tëvë1, Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se nuk mund të japin më shumë hollësi rreth hetimeve ndaj këtij zyrtari policor, por që në vitin 2024, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj G.K dhe një zyrtari tjetër policor në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Tëvë1 mëson se G.K kishte shkrepur me armë zjarri ndaj disa kontrabanduesve në veri të vendit.

“Për shkak të integritetit të procesit hetimor IPK nuk mund të ofrojë informacione në të gjitha pyetjet që ju keni adresuar. Sidoqoftë ju njoftojmë se IPK ka dorëzuar një kallëzim penal më 13.01. 2024 në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë për dy zyrtarë policorë si të dyshuar për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe për informacione shtesë rreth këtij rasti ju lutem i referoheni Prokurorisë së Shtetit”, ka thënë Arbër Beka zëdhënës i Inspektoratit Policor të Kosovës.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë nuk e ka mohuar e as pohuar se ndaj të njëjtit po bëhen hetime, por kanë bërë të ditur se për rastin më 13.01.2024 kanë pushuar hetimet ndaj tij nga prokurori i rastit.

“Në prokurori është paraqitur një kallëzim penal nga IPK ndaj personave G.K., dhe F.Xh lidhur me veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. Për këtë rast prokurori ka zhvilluar hetime dhe i ka pushuar me arsyetimin “se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit kanë kryer vepër penale“. Ndërkaq sa i përket pyetjeve tuaja të mëposhtme, rasti i cili është trajtuar nga prokurori nuk ka të bëjë me rrethanat të cilat i keni parashtruar në pyetjet tuaja”, ka thënë zëdhënsi Valon Preteni.

Në disa kërkime në internet, vërehet se G.K është mjaft aktiv edhe në rrjetet sociale, ku në vazhdimësi bën komente në postimet e politikanëve.

Një gjë e tillë nuk i lejohet një zyrtari policor, me rregulloren e Policisë së Kosovës.

TË FUNDIT

TË FUNDIT