33 C
Mitrovice
E hënë, 14 Korrik, 2025
spot_imgspot_img

Zyra e Prokurorit të Posaçëm të Republikës së Sllovenisë: Krejt provat për Martin Berishajn janë në Serbi

Zyra e Prokurorit të Posaçëm të Republikës së Sllovenisë ka deklaruar se të gjitha provat për çështjen në të cilën po hetohet Martin Berishaj ndodhen në shtetin e Serbisë.

Zyra e Prokurorit të Posaçëm të Republikës së Sllovenisë ka konfirmuar për Albanian Post se hetimet për pagesat e Gen-it në Beograd ndaj kompanive të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dhe një shtetasi tjetër të Serbisë, po vazhdojnë në Serbi. Kjo për shkak se të gjitha provat, sipas këtij institucioni, ndodhen në këtë shtet.

Prokuroria ka ritheksuar se dyshohet se vepra penale është kryer nga një person që është shtetas i Serbisë dhe se dyshohet se Berishaj ka asistuar në këtë veprim.

“Duke pasur parasysh që Republika e Serbisë nuk e ekstradon shtetasin e saj dhe duke pasur parasysh që dyshohet se vepra penale është kryer në territorin e Republikës së Serbisë, ku ka ndodhur dhe pasoja e ndaluar, dhe duke pasur parasysh që të gjitha provat relevante ndodhen gjithashtu në Republikën e Serbisë, është dashur që çështja t’i kalojë autoriteteve kompetente të Republikës së Serbisë me kërkesën për marrjen e përgjegjësisë për ndjekjen penale”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për Albanian Post.

Prokuroria sllovene nuk ka dhënë më tepër detaje, duke theksuar interesin e ruajtjes së hetimeve dhe të dhënave personale.

Skandali shpërtheu tre ditë para zgjedhjeve të fundit parlamentare në Slloveni, kur u publikuan dokumentet e një agjencie të huaj kundër pastrimit të parave, ku përmendeshin pagesa nga Gen-i Beograd për dy kompani të Berishajt, të regjistruara në Kosovë dhe Mal të Zi, me të njëjtin emër – MB Consulting.

Sipas të dhënave, Gen-i Beograd i transferoi në disa këste më shumë se dy milionë euro kompanive të Berishajt, ndërsa ai thuhet se ka tërhequr pothuajse 1.8 milionë euro në para të gatshme. Kjo ka ngritur pyetje në opinionin publik lidhur me natyrën e shërbimeve që ka ofruar Berishaj, i cili me profesion është politolog, dhe arsyet e tërheqjes së shumës së madhe në cash.

Kontratën me Berishajn e kishte nënshkruar Borislav Antović, këshilltar financiar në Gen-i Beograd, i cili është shprehur se nuk mund të japë deklarata pa lejen e punëdhënësit.

Ndërkohë, drejtuesi i atëhershëm i Gen-i Beograd, Igor Koprivnikar, ka sugjeruar që pyetjet t’i drejtohen zyrës për marrëdhënie me publikun në Gen-i, e cila gjithashtu ka deklaruar se nuk ka informacione mbi këtë procedurë.

Kryetari i bordit të Gen-i Sllovenia, Maks Helbl, ka deklaruar publikisht në shkurt të vitit 2023 se pagesat për Berishajn përfaqësonin 0.5% të vlerës së kontratave për furnizimin me energji elektrike në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi, ku Berishaj kishte ndihmuar përmes informatave mbi gjendjen e sistemit energjetik dhe rreziqet e tregut.

Vetë Berishaj, para një komisioni hetimor parlamentar në Kosovë, ka theksuar se ai ka ofruar këshilla politike mbi strategjitë e kompanisë, pa pasur rol të drejtpërdrejtë në shitjen e energjisë.

“Unë e këshilloja se si duhet të vepronte politikisht kompania. Nuk kam pasur të bëj me shitjen e energjisë, por u jepja një këndvështrim politik për strategjitë që ka një shtet në një situatë të caktuar”, tha ai në nëntor të vitit 2022.

Lidhur me dyshimet për shpëlarje parash, shmangie nga tatimi dhe raportim të rrejshëm të pasurisë, Berishaj, pasi ishte marrë në intervistë në mars të vitit të shkuar, është intervistuar sërish nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 26 qershor të këtij viti.

“Mund të konfirmojmë se z.Martin Berishaj është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale, në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj tij lidhur me veprat penale “Shpëlarje e parave”, “Shmangie nga Tatimi” dhe “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave , i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, thuhej në përgjigjen për media të PSRK-së.

Ndaj Martin Berishajt prokuroria kishte nisur hetimet edhe për keqpërdorim të procesit të transportimit të votave të qytetarëve të Kosovës për votat nga diaspora.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT