Bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani dhe zotëria i parë, Prindon Sadriu, ka reaguar sërish pas reagimeve të shumta publike të ngjallura nga një status i tij i mbrëmshëm, shkruan Mitrovica SOT.
Mbrëmë, përmes një postimi në Facebook, Sadriu reagoi me gjuhë agresive ndaj mediave në Kosovë pasi ato publikuan shpenzimet në karburante nga atëherë deputetja e tashmë presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Ish-deputetja e LDK-së tashmë presidente e vendit, ndonëse që nga viti 2012 jeton në Prishtinë, ka marrë para për shpenzimet e rrugës, duke u deklaruar se jeton jashtë kryeqytetit.
Publikimet e këtyre të dhënave mbi shpenzimet e presidentes kanë nxehur fort Sadriun i cili mbrëmë shkroi duke i sulmuar mediat se “kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”.
Këto akuza e ai cilësim i rëndë ngjallën reagime të ashpra publike, duke përfshirë AGK-në:
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me gjuhën denigruese që Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”, thuhet në reagim.
“Akuzat dhe sulmet që vijnë nga bashkëshorti i Presidentes, që gjithashtu mban post shtetëror në MPJ, shton pasigurinë e gazetarëve në Kosovë. Po ashtu, në ditët e fundit edhe gjuha e zëdhënësve dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet në raport me mediat ka qenë e papranueshme dhe paraqet presion direkt në punën e tyre”, thotë AGK.
Reagoi madje edhe eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin evropian, Viola Von Cramon, e cila tha se në Kosovë po zhvillohet fushatë denigruese ndaj mediave.
“Media e lirë është njëra nga shtyllat themelore të demokracisë dhe gazetarët duhet të kenë lirinë e tyre për t’u shprehur pa ndonjë frikë. Për këtë jam duke monitoruar nga afër kampanjën denigruese të organizuar kundër gazetarëve në Kosovë për të kuptuar plotësisht ngjarjet e fundit”, është shprehur ajo.
Free media is one of essential pillars of #democracy and #journalists must have the freedom to express themselves without any fear.
I am therefore closely monitoring the denigrating campaign organised against journalists in #Kosovo to fully understand recent events.
— Viola von Cramon 🇺🇦🇪🇺 (@ViolavonCramon) February 9, 2022
Pas gjithë këtyre reagimeve, sot ka reaguar sërish, por me gjuhë më të kujdesshme, Prindon Sadriu, i cili u shpreh se ai asnjëherë nuk synon të cenojë gazetarinë profesioniste, dhe duke bërë ndarjen e gazetarëve në profesionistë dhe jo të tillë. Megjithatë, ai nuk kërkoi falje për akuzën e rëndë ndaj mediave e gazetarëve, madhe duke thënë se statusi i tij u devijua qëllimshëm: