Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi kryeministri në detyrë Albin Kurti u ka dërguar mesazh studentëve, duke iu treguar se qeveria ka ndarë për ta nga 100 euro.
Duke e postuar mesazhin e Kurtit, ajo ka bërë me dije se kështu duket abuzimi me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se lideri i VV-së është në panik.
“Ja si duket abuzimi me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës për nevoja elektorale të Kryetarit të LVV. Vetëm tre ditë para zgjedhjeve, me paratë e qytetarëve të varfëruar, të cilëve ua ka shtrenjtëuar rrymën për t’i shërbyer mafias energjetike, ai shpërndan nga 100 euro për studentët. Ky nuk është as kujdes social, as mbështetje për rininë. Është mashtrim. Është manipulim. Është papërgjegjësi. Dhe mbi të gjitha, është panik”, ka shkruar ajo.





