Konkurrenca elektorale e 7 qershorit pritet të prodhojë një situatë të re politike, krejtësisht të ndryshëm nga ai i procesit paraprak të 28 dhjetorit. Ky është parashikimi i analistit Visar Ymeri, i cili vlerësoi se skena politike po shkon drejt një tkurrjeje të partisë në pushtet dhe një ngritje të votave te subjektet opozitare.
Ymeri theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës pritet të shënojnë performancë më të lartë, teksa Lëvizja Vetëvendosje mund të përballet me rënie të mbështetjes. Sipas tij, elektorati i LDK-së dhe ai i presidentes Osmani lidhet drejtpërdrejt me fatin elektoral të shumicës aktuale.
“Çfarëdo rritje e LDK-së dhe Vjosa Osmanit është rënie për LVV. Nuk mund ta them me përqindje e aq më pak më numër votash mirëpo gjykuar nga ky pozicion i tashëm unë e shoh që LVV do ta ketë një rezultat pak më të dobët se shkurti i vitit 2025”, deklaroi Ymeri për FrontOnline.
Ai ka komentuar edhe pozicionin e PDK-së në skenën politike, duke vlerësuar se kjo parti mund të regjistrojë përmirësim në rezultat.
“PDK mund ta ketë një ngritje relative në raport me dhjetorin, duke e pasur parasysh se PDK ka qenë partia e vetme e madhe më një votë stabile të cilën nuk mund t’ia merr askush”, është shprehur Ymeri.



