20.7 C
Mitrovice
E shtunë, 28 Qershor, 2025
spot_imgspot_img

‘Zgjedhje në Kosovë’, parashikimi i analistëve- Lëvizja Vetëvendosje kryeson, kështu mund të renditen partitë tjera!

Gjendja në veri të vendit, sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe audio-inçizimet Kusari-Lila-Simiq janë vetëm disa nga ngjarjet që kanë nxitur opozitën të kërkojë zgjedhje të parakohshme, raporton Gazeta Blic.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka iniciuar moscion-mosbesimi për largimin e qeverisë Kurti nga pushteti.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka disa javë që ka nisur bashkëbisedimet me shoqërinë civile për të gjetur një rrugë për të dalë nga gjendja ku ndodhet vendi.Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës po shprehet hapur tanimë se vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje.

Po nëse shkohet në zgjedhjet, siç opozita po kërkon, si pritet të rënditen subjektet politke në Kuvend ?Njohësi i çështjeve politike, Muhamet Kelmendi, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se nëse shikohet gjendja aktuale, përsëri do të kryesojë LVV-ja.

Kelmendi potencoi se temat e ‘nxehta’ si veriu dhe dialogu tërheqin votues dhe se Albin Kurti prin tek pëlqyeshmëria që ka tek qytetarët.

“Eshtë e vështirë të parashikohet dhe të ipet një mendim adekuat mbi rezultatin e zgjedhjeve, nëse ato mbahen tash.Shikuar nga gjendja aktuale përseri prin LVV-ja ndërsa pas saj konkurojnë dy partitë opozitare.Nuk dihet se a është PDK-ja a LDK-ja e dyta apo e treta, të dyja janë në barazpesh politike ndërsa në vendin e katërt mendohet të jetë AAK-ja.Jam i mendimit se temat e ‘nxehta’ dhe që tërheqin votën e votueseve jane disa: E para, është gjendja në veri të Kosovës, dialogu me shtetin serb, raportet midis Kosovës dhe SHBA-ve si dhe me BE-në, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, gjendja ekonomike dhe sociale ne vend dhe intergrimet ne BE.Kudo në këto çështje prin tek qytetarët qëndrimi i kryeministrit Kurti”, tha Kelmendi për “Gazeta Blic”

Ai pati kritika për dy kryetarët opozitarë, Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun.I njëjti tha se me ta në krye të PDK-së dhe LDK-së, vështirë se këto dy subjekte politike të bëhen konkuruese në zgjedhje.

“Nuk ka mundur as PDK-ja dhe as LDK të nxjerrin apo të marrin tema e tjera, sikurse është siguria, sovraniteti, gjendja sociale, papuneëia, ikja nga vendelindja etj. Me dy kryetaret, Krasniqi te PDK-ja dhe Abdixhiku te LDK-ja, e kanë shumë të rëndë të ecin këto dy parti dhe të bëhen konkuruese në zgjedhje”

Ndërsa për partinë “Guxo” të udhëhequr nga Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, tha se e njëjta nuk pritet ta kalojë as pragun.

“Ndërsa, sa i përket partisë së re të Presidentes Osmani, që e udheheqe Gervalla-Schwarz, ajo vetëm në koalicion me LVV-në ka të ardhme. E ka mandatin e fundit ne Kuvend, nuk e arrine as 5%. AAK-ja e ka të garantuar, me gjendjen që e ka ne Rrafshin e Dukagjinit, pozitën në Kuvend si parti parlamentare, sa do te jete perqindja varet nga gjendja” deklaroi Kelemendi për “Gazeta Blic”

Profesori i shkencave politike nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu, deklaroi se pas aksioneve në veri, Lëvizja Vetëvendosje ka rikthyer elektoratin.

Spahiu u shpreh se pritet të shihet deri në zgjedhje nëse të njëjtit mund ta ruajnë këtë gjendje ku ndodhen.“Varet kur mbahen zgjedhjet dhe se çfarë ndodhë deri ditën e zgjedhjeve. Nëntë muaj pas zgjedhjeve në nivel kombëtar, LVV-ja humbi dy të tretat e elektoratit kur u bënë zgjedhjet në nivel lokal. Por pas aksioneve në veri të vendit dhe reagimit tejet jo-patriotik të opozitës, LVV-ja ka rikthyer elektoratin dhe madje ka shkuar përtej. Tash varet a mund ta ruaj këtë deri në zgjedhjet e ardhshme” tha Spahiu për “Gazeta Blic”

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, edhe njëherë u ka bërë thirrje gjatë ditës së djeshme dy partive opozitare LDK dhe PDK që t’a mbështesin mocionin e mos-besimit të iniciuar nga partia që ai udhëheq. Haradianaj tha se nëse partitë opozitare janë të sinqerta në qëndrimin e tyre se kjo qeveri duhet ndalur me çdo kusht, atëherë duhet ta kuptojnë se mocioni i propozuar nga AAK-ja është rruga e vetme dhe duhet ta mbështesin.

“Ne si Aleancë kemi ofruar një model se si të dilet nga situata e krijuar, që është mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë, si mjet mbase tash për tash i vetmi, për ta ndalur degradimin e mëtejshëm që po i bëhet vendit. Në fakt edhe njëra edhe tjetra parti opozitare, po e kërkojnë të njëjtën gjë që e kemi kërkuar edhe ne, por nuk po e shohin mënyrën se si realizohet kjo! Pyetja ime është, si shkohet në zgjedhje, ose si gjendet rruga e tretë për të dalë nga kjo gjendje? A ta presim kryeministrin që ta dorëzojë me vullnet mandatin e tij, gjë e cila duket e pamundshme, apo të presim të ndodhë ndonjë mrekulli vetvetiu? Prandaj partitë tjera opozitare, nëse janë të sinqerta në qëndrimin e tyre se kjo qeveri duhet ndalur me çdo kusht sepse po e shkatërron vendin, atëherë duhet ta kuptojnë se mocioni i propozuar prej nesh, është rruga e vetme, rrjedhimisht edhe ta mbështesin” tha Haradinaj raporton Gazeta Blic.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT