Analisti politik Visar Ymeri ka komentuar deklaratat e kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti lidhur me rikandidimin e Vjosa Osmani për postin e Presidentes së Kosovës, duke vlerësuar se Kurti është i vetëdijshëm për vështirësitë numerike në Kuvend.
Sipas Ymerit, mesazhi i Kurtit nënkupton qartë se nuk duhet pritur prej tij sigurimi i 80 votave të nevojshme për rizgjedhjen e Osmanit. Ai theksoi se Kurti e di që është jashtëzakonisht e vështirë të bindet opozita për ta votuar Osmanin dhe se, krahasuar me herën e kaluar, Kurti ka edhe më pak nevojë politike për ta propozuar atë sërish.
“Në njëfarë mënyre i tha që mos prit prej meje që unë t’i bëjë 80 vota. Mendoj që ai është i vetëdijshëm që për Vjosa Osmanin e ka shumë të vështirë t’i bëjë 80 numra. Unë mendoj që s’dëshiron ta propozojë dhe këtë herë ka shumë më pak nevojë sesa herën e kaluar. Është vështirë me i bindë partitë opozitare me votu Vjosa Osmanin. Uroj që këtë radhë Kurti nuk ka me shku në një proces zgjedhor për Presidenten pa e tentu marrëveshjen politike. Ajo do të ishte sjellje, për mua, si e vitit 2025; unë e sjell në Kuvend, nëse doni votojeni, nëse nuk doni shkojmë në zgjedhje. Ky është kërcënim. Nëse tentohet marrëveshja politike, gjendet një emër konsensual, qoftë i propozuar nga Vetëvendosja, qoftë nga të tjerët, dhe pajtohen palët, atëherë në rregull le ta votojnë. Mendoj që ky ish dashtë me qenë procesi dhe për mu kjo do të ishte yll. Shenja më e pjekur politike që ky katërvjeçar ka me qenë ndryshe për sa i përket bashkëpunimit për çështje ku ka nevojë dhe domosdoshmëri bashkëpunimi.” – tha Ymeri në “Debat Plus”






