Zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka komentuar suspendimin e policit i cili ka kritikuar skandalin e derivateve.
Halimi ka thënë se tendenca për ta heshtur kritikën e cënon demokracinë si dhe është në kundërshtim me normat ndërkombëtare.
Tutje, Halimi ka thënë se duhet të përdoren të gjitha mekanizmat për ta ruajtur fjalën e lirë si dhe Qeveria e Kosovës të kujdeset për kushtet e policëve dhe jo për nënshtrimin e tyre.
Këtu keni statusin e plotë të saj:
“Tendenca për ta heshtur kritikën, duke përdorur mekanizmat shtetërorë, përveç se është në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare, është cenim i madhë i demokracisë dhe krijon precedent të tmerrshëm kundër lirisë së shprehjes. Qeveria, institucionet shtetërore dhe policia duhet të përdorin të gjitha mjetet që me çdo kusht ta ruajnë këtë liri kushtetuese, e jo t`i përdorin ato si mjet për t`ia mbyllur gojën, kujtdo që e kritikon pushtetin. Në vend se kjo qeveri të kujdeset për sigurimin e kushteve të dinjitetshme për Policinë e Kosovës, ajo po kujdeset që t’i mbajë të nënshtruar nëpërmjet disiplinimit dhe kontrollit të tyre”, ka shkruar Halimi në llogarinë e saj në Facebook.