Trepça e ka pësuar humbjen e dytë në Superligën e Kosovës në basketboll. Të dielën mbrëma në “Minatori”, Trepça u mposht nga Golden Eagle Ylli me rezultatin 71:68.
Ndeshja ishte dramatike dhe u vendos vetëm pas vazhdimit prej pesë minutave.
Suharekasit dominuan në pjesën e parë dhe në pushimin e gjatë shkuan me epërsi prej dhjetë pikëve, 34:24. Vendasit megjithatë u kthyen. Çerekun e tretë e fituan 17:11, ndërsa të katërtin 20:16.
22 sekonda para fundit, Jordy Tshimanga i Trepçës shënoi për 61:58. Në skenë më pas doli Henrik Shirko që shënoi për 61:61, tetë sekonda para fundit. Mitrovicasit e kishin aksionin e fundit, por Kevin Bracy-Davis nuk realizoi për dy pikë. Kështu ndeshja shkoi në vazhdim. Në pesë minutat shtesë kishte gabime në të dy anët. Më pak megjithatë gabuan mysafirët që edhe festuan në fund.
Kroati Shirko ishte më i miri tek Ylli me 18 pikë e tetë kërcime. Chris Harris i kishte 12 pikë e gjashtë kërcime.
Te Trepça, Jordy Tshimanga i kishte nëntë pikë e plot 21 kërcime. Mikaile Tmushiq i realizoi 18 pikë e shtatë kërcime.
Ndeshja i ka takuar xhiros së shtatë të Superligës. Trepça tani ka bilanc prej pesë fitore e dy humbje. Ylli ka tri fitore e katër humbje. Trepça i ka humbur edhe dy ndeshjet në fazën grupore të FIBA Europe Cup. Pas humbjes së fundit në Francë, klubi mitrovicas është ndarë me tre basketbollistë të huaj. Të dielën i kishte tre amerikanë në përbërje.
©KOHA.