spot_img
spot_img

VV-ja s’e përkrah nismën e PDK-së që Ligji për Specialen të mbetet në fuqi: Mos të gabojmë përsëri

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk e përkrahin nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që Ligji për Gjykatën Speciale të mbetet në fuqi, duke shtuar se kanë edhe dy javë kohë që të vendoset se si të procedohet tutje. Kanë kërkuar që të ketë konsultime me Bashkimin Evropian e më pas të raportohet në Kuvend.

Deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se nuk është mirë që të nxitohet e të gabohet sërish.

“I kemi edhe dy javë kohë. Nuk është mirë që përsëri të nxitohemi e përsëri të gabojmë e të pendohemi. Gabimet po na kushtojnë rëndë. Nuk ka mandej lexim të katërt!”, ka thënë Rrustemi.

Ai ka bërë thirrje që i gjithë grupi punues për strategjinë shtetërore për Apelin në Hagë të konsultohen me BE-në e më pas të raportojnë në Kuvend e të shihen se ku mund të bëhen ndryshime.

“I gjithë Grupi Punues për Strategji drejt Apelit në Gjykatë Speciale me përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare dhe në krye me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, duhet të takohet dhe konsultohet me BE-në. Pastaj, le të vijnë dhe raportojnë në Kuvend”, u shpreh Rrustemi.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, PDK-ja kërkoi që të votohet për rrëzimin e vetos së presidentes Justina Shiroka-Pula që do të thotë se ligji të hyjë automatikisht në fuqi e më pas të bëhen ndryshime përmes amendamenteve. Por nga VV-ja kanë shprehur drojë se kjo mënyrë mund të sjellë probleme të tjera me ligjin, duke kërkuar që të ketë krejtësisht nismë të re ligjore.

Ndryshimet në Ligjin për Specialen ishin votuar më 6 tetor. E më 22 tetor, Ligji është kthyer në Kuvend nga presidentja Shiroka-Pula me kërkesë të PDK-së, që i inicioi ndryshimet.

Ndryshimi i Ligjit u bë rreth dy javë pasi Gjykata dënoi me 81 vjet burgim katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.

Kërkesa e PDK-së për rishqyrtimin e tij para dekretimit nga presidentja nuk u përkrah nga të gjithë deputetët e saj./koha.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT