4 C
Mitrovice
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
spot_imgspot_img

VV e LDK dalin kundër tërheqjes së Trust-it, PDK mbetet e vetme në kërkesë

Partia Demokratike e Kosovës siç duket do të jetë e vetme karshi propozimit që ua mundëson qytetarëve tërheqjen e mjeteve financiare nga Trusti Pensional deri në 30 për qind.

Kësisoj, Lëvizja Vetëvendosje dhe partia në opozitë Lidhja Demokratike e Kosovës, po e konsiderojnë si të panevojshme një hap të tillë. Nga LDK-ja thonë se ekonomia po funksionon shumë mirë, ndërsa VV-ja e sheh si propagandë të PDK-së këtë propozim.

Teksa ka folur për një propozim të tillë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu theksoi se me kërkesë të qytetarëve ka kërkuar që të riprocedohet në kuvend tërheqja nga trusti pensional dhe atë deri në 30 për qind.

“Në kohën kur është diskutuar ligji për rimëkëmbjen ekonomike në vitin 2020 kam bërë një amendament ku kam kërkuar që të kategorizohet tërheqja nga trusti pensional dhe atë deri në 30 për qind. Kjo rezulton që qytetarët që kanë të ardhura më të vogla të mbështeten më shumë sepse ka pasur kërkesa të qytetarëve të riprocedohet një kërkesë e tillë dhe po besoj që për shkak të krizës ekonomike edhe rritja e energjisë elektrike dhe rritja e çmimeve të konsumit ditor do të duhet të ketë mbështetje për qytetarët”, tha Haxhiu.

Poashtu, deputeti i PDK-së ka kërkuar edhe uljen e TVSh-së, në mënyrë që të ndihmohen qytetarët në zvogëlimin e çmimeve.

“Bazuar në kërkesën e qytetarëve ka dy mënyra njëra që të bëhet me iniciativë ligjore me 6 nënshkrime të deputetëve dhe e dyta është që po këta qytetarë kanë kërkuar që të bëhet përmes mbledhjes së 10 mijë nënshkrimeve. Njërën ose tjetrën do ta procedojmë në kuvend në mënyrë që qytetarët të tërheqin mjetet e tyre nga trusti. Sa më shumë mjete në qarkullim do të ketë rritje ekonomike dhe do ndihmoheshin qytetarët. Kam pranuar me dhjetëra mesazhe që kanë kërkuar qytetarët të mbështeten. Ulja e TVSh do të kishte ndihmuar në zvogëlimin e çmimeve”, ka thënë Haxhiu.

Si arsye kryesore e tij për këto propozime janë rritja e çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë, teksa thotë se ato janë më shtrenjtë se në Gjermani.

Mirëpo me këto propozime nuk po pajtohet partia më e madhe në pushtet Lëvizja Vetëvendosje dhe as partia në opozitë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja në një intervistë për Ekonomia Online po e konsideron propozimin e PDK-së të varfër intelektualisht.

Muja tha se qëndrimi i VV-së edhe në të kaluarën edhe tash është i njëjtë që kjo praktikë nuk duhet të lejohet.

“Nëse ka ardhur ky propozim nga PDK unë mendoj që është një propozim i varfër intelektualisht. Demonstron mos njohuri konceptuale siç e karakterizon PDK qe një kohë të gjatë. E vërteta është që qytetarët e Kosovës kanë vështirësi në këtë kohë. Mirëpo qeveria duhet të përdorë mekanizma të tjerë të politikës fiskale jo të ngritën pritje në formë të propagandës që i mundëson ose të krijojë përshtypje sikurse ajo lejohet. Trusti pensional është i dizajnuar në atë mënyrë që të kursejnë qytetarët që të përballojnë konsumin pas moshës 65 vjeçare. Nëse i shikoni të gjitha raportet ndërkombëtare kjo është bërë një herë por që nuk duhet të lejohet në të ardhmen dhe e kuptoj që çfarëdo që kanë nevojë qytetarët është mirë që qeveria ti adresojë ato përmes transfereve sociale jo domosdoshmërish duke abuzuar me trustin pensional”.

Teksa foli për kritikat që janë shpeshtuar në opinion, Muja tha se këto janë propaganda të PDK-së, me ç’rast i ftoi edhe të tjerët të mos bëhen pjesë e saj ndaj Qeverisë Kurti.

“Qëndrimi i VV-së edhe në të kaluarën edhe tash është i njëjtë që kjo praktikë nuk duhet të lejohet. Çdo mungesë e likuiditeti është trajtuar nga qeveria Kurti përmes shtimit të plus 200 milion eurove transfereve sociale dhe subvencioneve dhe nëse ka nevojë ajo do të adresohet në të ardhmen edhe përmes shtesave të tjera por jo duke ngritur pritje për tërheqjen e trustit pensional. Nuk duhet të jeni pjesë e propagandës së PDK kundër qeverisë Kurti”.

“Ne e kuptojmë që ka vështirësi në Kosovë dhe qeveria Kurti ka filluar ti adresojë. Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet të ofrojë perspektivë për të rinj. Gjatë qeverisjes së PDK-së dhe LDK-së mbi gjysma e të rinjve kanë shprehur dëshirë që të largohen jashtë vendit. Dhe kjo vështirësi vazhdon të jetë, por qeveria Kurti ka marrë masa se nga viti i ardhshëm ti adresojë këto problematika si punësimin e të rinjve dhe mbështetjen për biznesin e grave. Rritja ekonomike është rekord këtë vit 9.9 për qind”, tha Muja.

Ndonëse e kishte miratuar një vendim të tillë në kohën sa udhëhiqte me shtetit sa ishte kryeministër, Avdullah Hoti thotë se një praktikë e tillë nuk duhet të vijë në Kuvend.

Thotë se bizneset janë duke funksionuar mirë dhe punësimi është normalizuar.

“Unë besoj që duhet t’i gëzohemi faktit që po shkojmë drejt mbylljes së pandemisë. Në vitin 2020 në qeverinë tonë kur kemi propozuar vendimin për tërheqje 10 për qind të trustit pensional e kemi bërë mbi arsyetimin se ka pasur një shok të pa precedent në ekonomi dhe shoqëri. Mijëra persona humbën vendet e punës, bizneset pësuan. Ne tash duhet të gëzohemi që po e përmbyllim pandeminë dhe ato pakot e mbështetjes ekonomike të promovuara në Qeverinë tonë kanë dhënë rezultate sepse kanë kthyer menjëherë në janar ekonominë në trend pozitiv dhe nuk jemi në situatë që të ndërmarrim veprime të tilla. Nuk besoj që është nevojshme të vijë në kuvend sepse bizneset janë duke funksionuar, punësimi është normalizuar dhe nuk ka arsye të marrim hapa radikal”, tha Hoti.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT