21.6 C
Mitrovice
E shtunë, 21 Qershor, 2025
spot_imgspot_img

Vuçiç paralajmëron eskalim të gjendjes? Përmend edhe Kosovën, thotë se ushtria serbe po armatoset ‘në heshtje’

Në një deklaratë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “ushtria e vendit të tij është më e fuqishme se kurrë më parë”.

Gjatë një interviste për televizionin Prva, Vuçiq theksoi se vetëm një numër shumë i kufizuar personash është në dijeni të asaj që është blerë ndër vite, pasi “gjithçka është bërë në fshehtësi”.

Ai paralajmëroi gjithashtu mbajtjen e një parade të madhe ushtarake në muajin shtator, ku, sipas tij, publiku do të ketë mundësinë të shohë se “çfarë zotëron realisht Ushtria e Serbisë”.

“E kemi mbajtur të fshehur, por këto janë ndryshime të mëdha për ushtrinë tonë në periudhën e ardhshme. Janë më së shumti pesë persona që dinë saktësisht çfarë kemi sjellë. Qëllimi ynë është të mbrojmë vendin tonë”, deklaroi Vuçiq.

Ai shtoi se ushtria serbe po bëhet “tmerrësisht goditëse” dhe se shumë nga pajisjet e blera janë mbajtur qëllimisht larg syve të publikut.

Edhe pse nuk e sqaroi hapur se nga kush e ndien kërcënimin Serbia, Vuçiq përmendi marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Ai tha se “Prishtina, Zagrebi dhe Tirana po krijojnë një aleancë ushtarake” dhe se po ftojnë edhe Sofjen t’u bashkohet, çka, sipas tij, ka detyruar Serbinë të rrisë kapacitetet e saj mbrojtëse.

Megjithatë, më 18 mars, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, e cila është cilësuar si një dokument trilateral që synon forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit përballë sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal. Palët firmëtare mohuan në mënyrë të qartë se synojnë krijimin e një aleance ushtarake.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT