2.2 C
Mitrovice
E premte, 23 Janar, 2026
spot_img

Vlora Çitaku i reagon ambasadorit amerikan: Atifete Jahjaga nuk ka qenë produkt i asnjë “zarfi”

Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku i ka reaguar ambasadorit amerikan Philip Kosnett i cili tha se “koha e presidentëve që dalin nga zarfi ka shkuar”.

Me anë të një shkrimi në Facebook, Vlora Çitaku ka thënë se zgjedhja e e Presidentes Jahjaga nuk ka qenë produkt i asnjë “zarfi”.

Ajo tha se atë kohë pas qarkullimit të emrave të shumtë të kandidatëve të mundëshëm për President të vendit, Jahjaga ishte i vetmi person për të cilin palët e përfshira mund të dakordoheshin pa asnjë trysni.

Ndryshe Kosnett sot në një shkrim të tij tha se koha e presidentëve që dalin nga zarfi ka shkuar.



“Më lejoni të jem i qartë. Qeveria ime nuk po kërkon, as publikisht e as privatisht, që ndonjë deputet të votojë për ndonjë individ të caktuar për president. Ditët e shënimit të emrave në zarf kanë marrë fund. Çka po kërkojmë është që procesi të ecë përpara për të shmangur kthimin në zgjedhje të reja të kushtueshme dhe muaj të tërë të mosfunksionimit gjatë kohës së pandemisë dhe krizës ekonomike”, ka thënë ai.

Më poshtë postimi i plotë i Çitakut:

Mora shkas nga një deklaratë e mikut tim, Ambasadorit Phil Kosnett, për të dhënë disa sqarime sa i përket zgjedhjes së Znj.Atifete Jahjaga si Presidente e Republikës së Kosovës.

Pikë së pari, Presidenjta Atifete Jahjaga i ka shërbyer Kosovës me dinjitet dhe nder.

Sa për qartësim, zgjedhja e Presidentes Jahjaga nuk ka qenë produkt i asnjë “zarfi”. “Zarfi” nuk ka ekzistuar fare.

Askush nuk ka lobuar apo ushtruar asnjëlloj presioni tek udhëheqësit politik Kosovar për të zgjedhur Znj.Jahjaga.



Gjatë përvojës sime prej më shumë se dy dekadash në politikën Kosovare, e kam provuar në lëkurë dhe e njoh fare mirë prezencën e presionit ndërkombëtar (Gjykata Speciale, Marrëveshja për Asociacionin, Demarkacioni me Malin e Zi etj etj). Zgjedhja e Presidentes Jahjaga nuk ka qenë një nga këto raste.

Pas qarkullimit të emrave të shumtë të kandidatëve të mundshëm për President të vendit, Znj.Jahjaga ishte i vetmi person për të cilin palët e përfshira mund të dakordoheshin pa asnjë trysni.

Për më tepër, vetë Znj.Jahjaga nuk ka shkuar ta lus as Ambasadën Amerikane, as ndonjë nga partitë politike, që ta zgjedhin apo ta votojnë atë Presidente të Republikës së Kosovës.



Përkundrazi, si dëshmitare e dorës së parë, mund të ju them me sinqeritet të plotë se kanë qenë partitë politike ato të cilat i kanë kërkuar me ngulm Znj. Jahjaga që ta pranoj këtë detyrë.

Ndonëse vetëm 35 vjecare, Znj.Jahjaga atëbotë ishte Zëvëndës Drejtore e Policisë së Kosovës me gradën Gjeneral-Nënkolonel (grada më e lartë në mesin e grave në Evropën Jug-Lindore) dhe një karierë shembullore në shërbimin publik.

Znj. Jahjaga pranoi kërkesën e partive politike për të shpëtuar Kosovën nga ngërci sepse e kuptoi atë si thirrje të detyrës ndaj atdheut.

Përfundimisht, Znj.Jahjaga është votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me 80 vota për.

Do të ishte mirë që Znj.Jahjaga t’i ipej mirënjohja e merituar për shërbimin e shkëlqyer si Presidentja e parë grua, jo vetëm në Kosovë, por në tërë Evropën Jug-Lindore.

TË FUNDIT

TË FUNDIT