Flamuri i Republikës së Kosovës u valëvit me krenari në ceremoninë madhështore të hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore, në Milano–Cortina 2026, duke shënuar edhe një tjetër moment historik për sportin kosovar në arenën ndërkombëtare.
Kosova po përfaqësohet në këto lojëra nga dy skitarët, Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj, shkruan IndeksOnline.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjetet sociale, uroi sportistët përfaqësues, duke theksuar se Kosova qëndron pranë tyre sot, nesër dhe gjithmonë.
Ajo uroi që Kryeziu dhe Kokaj të kenë fat në garat e tyre dhe të kthehen faqebardhë nga kjo ngjarje e madhe sportive botërore.
”Flamuri i Republikës së Kosovës u valëvit me krenari në hapjen madhështore të Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026.
Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj, dy skitarët tanë, përfaqësojnë Kosovën me dinjitet, guxim dhe ëndrra të mëdha.
Kosova është me ju, sot, nesër dhe gjithmonë! Ju priftë fati e u kthefshin faqebardhë!”. ka shkruar Vjosa Osmani.



