Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri te qytetarët. Kështu ndodhi mbrëmjen e të premtes në Vushtrri, ku hajnat kanë hyrë me forcë në një shtëpi dhe kanë kryer vjedhje, duke arritur të marrin një shumë marramendëse parash.
i
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar rreth orës 20:50, ku viktima e ka njoftuar Policinë se shtëpia e tij në rrugën “Skënderbeu” ishte bërë shënjestër e hajdutëve.
Sipas deklaratës së tij, gjithçka është zbuluar kur ai është ngjitur në dhomën e gjumit në katin e dytë, ku ka vërejtur një skenë kaotike – dhoma e demoluar dhe dritarja e hapur me forcë.
Pas një kontrolli të shpejtë, ai ka konstatuar se i janë vjedhur plot 27 mijë euro para të gatshme, të cilat i mbante të fshehura në një dollap rrobash.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ndërsa Njësia e Hetimeve të Stacionit dhe hetuesit rajonalë kanë nisur hetimet për të zbardhur rastin dhe për të identifikuar autorët.
Ndërkohë, Prokurori i Shtetit është vënë në dijeni për zhvillimet dhe rasti po trajtohet si “Vjedhje e rëndë”.