Gjykata Kushtetuese e ka publikuar sot vendimin që është marrë dje lidhur me kërkesën e Listës Serbe sa i përket zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit, ku ia ka miratuar kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme.
Vendimi i Kushtetueses ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nga sot e deri më 30 shtator çdo veprim dhe vendim si dhe ndalon procedurat për formimin e Qeverisë.
“… Gjykata konsideron se pa u vlerësuar pretendimet e lartcekura të parashtruesve të kërkesës në rastin para saj, është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit, në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.
Sipas Gjykatës, masa e përkohshme mund “të evitojë rreziqe apo dëme të pariparueshme” që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore dhe nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjykata ka kosndideruar se pa u vlerësuar pretendimet e Listës Serbe, është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit, në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës.
“Për më tepër, Gjykata vlerëson se, në kuptim të përcaktimeve të nenit 27 të Ligjit, ekzistojnë rrethana të “interesit publik” e që përfshijnë ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Kushtetuesja ka theksuar se themelimi i institucioneve shtetërore duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën.
“Duke qenë se pretendimet e parashtruesve të kërkesës, në thelb, kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë e vendimeve të marra dhe veprimeve të ndërmarra gjatë Seancës Konstituive, si akt kushtetues, Gjykata vlerëson se pretendimet dhe faktet e prezantuara nga parashtruesit e kërkesës ngrenë çështje të nivelit kushtetues që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërorë pas zgjedhjeve për Kuvend”, theksohet në dokument.
Lista Serbe i është drejtuar Kushtetueses me kërkesë të shtunën. Deputetin e 10’të për ta dorëzuar kërkesën, atyre ua ka bërë Adem Hoxha.
Kërkesa në Kushtetuese është dorëzuar nga deputetët e Listës Serbe, me ndihmën e Adem Hoxhës, të cilin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përjashtoi nga Grupi Parlamentar.
Ndryshe, pavarësisht dështimit për zgjedhjen e nënkryetarit serb, Kryeparlamentari Dimal Basha e ka përmbyllur seancën konstituive të shtunën, duke e konsideruar Kuvendin si të konstituuar./Reporteri.net