Shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka ka bërë të ditur për Dukagjinin se një person ka ndërruar jetë pas plagëve të marra nga të shtënat me armë, mbrëmjen e së premtes në “Bon Vivant”. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, nga 17 të plagosur në total, 14 ishin gra
QKUK
Një person i cili kishte marrë plagë në të shënat e mbrëmbshme në një kafiteri të Prishtinës, “Bon Vivant”, ka ndërruar jetë.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka.
“Nga informacionet qe kam nga ekipa kujdestare e Mjekimit Intensiv, 1 pacient që ka marrë plagë nga plagosja e mbrëmshme pas intervenimit kirurgjik është sjell për trajtim të mëtutjeshëm në Mjekumin Intensiv. Pacienti në fjalë edhe përkundër të gjithë trajtimit kirurgjik dhe terapisë intensive nuk ka arritur të iu mbijetoj plagëve dhe ka ndërruar jetë në orët e hershme tē mëngjesit”, ka deklaruar Shaqiri.
Dukagjini ka provuar të kontaktojë edhe me Drejtorin e Klinikës Emergjente, Naser Syla.
I njëjti nuk ka dhënë përgjigje ndonëse mbrëmë pas mesnate, kishte deklaruar për të tjera media se shtatëmbëdhjetë persona kanë mbetur të lënduar pas të shtënave me armë.
Njësoj thuhet edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës. Nga 17 të plagosur në total, 14 ishin gra.
Ndërkaq, lidhur me rastin mbeten katër të dyshuar, të gjithë të hospitalizuar. Një tjetër, gjendet në arrati.
“Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”, thuhet në raport.
Rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë në tenativë dhe pjesëmarrje në rrahje”