Një vajzë e mitur ka dorëzuar në polici një kuletë të gjetur në rrugë, në të cilën ndodheshin dokumente personale dhe 2 mijë euro para të gatshme.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 29 maj 2026, rreth orës 19:00,. E mitura kishte gjetur kuletën në rrugën “Lah Nimani” në Mitrovicë dhe pa hezitim e ka dërguar atë në Stacionin Policor Mitrovicë Jug.
Pas pranimit të kuletës, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe, bazuar në dokumentacionin e gjetur brenda saj, kanë arritur të identifikojnë pronarin. Pas procedurave të verifikimit, kuleta së bashku me shumën e parave i është kthyer atij.
Pronari i kuletës ka falënderuar vajzën për ndershmërinë e treguar, si dhe Policinë e Kosovës për angazhimin dhe profesionalizmin në trajtimin e rastit.
Policia e Kosovës ka vlerësuar lart veprimin e të miturës, duke theksuar se sjellje të tilla përbëjnë shembuj pozitivë për shoqërinë dhe kontribuojnë në forcimin e besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të sigurisë.



