Sot po organizohet Dita e Vizitorëve në ushtrimin fushor “Ujku Shigjetë”, që Forca e Sigurisë së Kosovës është duke e realizuar në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës, në Komunën e Gjakovës.
Në Ditën e Vizitorëve po marrin pjesë edhe udhëheqësit shtetëror.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci potencoi rolin e SHBA-së drejt transformimit të FSK-së.
“Falënderojmë edhe ekipet nga SHBA të cilat kanë qenë vazhdimisht krah zhvillimit të FSK-së investimet e qeveria në mbrojtje në armatim personel trajnim dhe infrastrukturë janë një mbështetje shtesë për kapacitetet e FSK-së në arritjen e objektivave qe kemi përpara”, tha ai.
Ky ushtrim vjen pas një cikli të gjatë trajnimesh dhe përgatitjesh intensive në kuadër të procesit të validimit të regjimentit.
Gjatë këtij ushtrimi po testohen aftësitë dhe kapacitetet luftarake të njësisë në nivel taktik, me qëllim që të vlerësohet gatishmëria operacionale dhe përmbushja e standardeve të kërkuara për validim.
Përmes ushtrimeve të tilla, FSK vazhdon të demonstrojë përkushtimin ndaj ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe operacionale, në përputhje me standardet e forcave moderne të mbrojtjes./Reporteri.net/



