Sekretari i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se shkuarja e kabinetit qeveritar të Albin Kurtit në hotel në Prevallë për të hartuar programin qeveritar, është përpjekje e dështuar për ta improvizuar një program qeverisës.
Ai tha se ata gënjyen se kishin program qeverisës që para gjashtë muajsh, njofton Klan Kosova.
Ismaili tha se gjithë këta muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve “partnerët e koalicionit VV-LDK po del se i kanë shpenzuar për pazare dhe për poste e jo për program”.
“Vikendi në një hotel në Prevallë i Qeverisë Kurti është përpjekje e dështuar për ta improvizuar një program qeverisës, për të cilin gënjyen se e kishin që para gjashtë muajsh. Kjo tregon se tërë ata muaj negociatash mes partnerëve – nuk ishin shpenzuar fare për program e parime, por për ndarje postesh e privilegjesh. Mungesa e programit dhe buxhetit ka paralizuar institucionet e Kosovës, duke shkaktuar ngecje në çdo sektor. Për fat të keq, përveç kohës që u humb paraprakisht, pasojat e mungesës së planit do të ndjehen nga qytetarët gjatë muajve të ardhshëm”, ka shkruar ai.