Nga Qeveria e Republikës së Kosovës kanë njoftuar për temat që janë diskutuar në takimin e sotëm mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti – i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi – dhe ambasadorëve të vendeve të QUINT-it, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Nëpërmjet një komunikate për media, Zyra e Kryeministrit njofton se kryeministri Kurti ka paraqitur para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian, planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër.
“Ky takim sot u zhvillua pikërisht 8 vjet pas diskutimeve që ishin mbajtur me 2 gusht 2016 në Bruksel në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës në kuadër të dialogut në Bruksel, e që u pasua pastaj me Planin e Bashkimit Evropian për hapjen e urës së Mitrovicës për këmbësorë dhe automjete në dy drejtime. Kryeministri Kurti paraqiti para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër. Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës“, thuhet në komunikatë.
Sipas Qeverisë, konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë, teksa janë shprehur se ura duhet të hapet, pasi siç thuhet në komunikatë, ura është simbol i lëvizjes së lirë dhe kjo nuk e rrezikon paqen dhe sigurinë.
“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se “rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim”. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi. Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë. Qeveria është edhe për lëvizje të lirë edhe për integrim të qytetarëve“, thuhet në komunikatë.
Ndër të tjera, në takim është diskutuar edhe rreth zhvillimeve në vend dhe temave aktuale.
“Kryeministri i njoftoi me rezultatet e masave dhe politikave të punësimit dhe mirëqenies në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, konkretisht me masën “Qeveria për Familjet”, në kuadër të së cilës deri më tani është ndërmjetësuar dhe mbështetur punësimi i 231 personave në këto komuna. Ndërkohë që interesimi i qytetarëve nga radhët e komunitetit joshumicë serb për t’u pajisur me dokumentet e Republikës së Kosovës ka shënuar rritje në tremujorin e fundit të vitit të kaluar e sidomos në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, si dëshmi e vullnetit dhe interesimit të tyre për integrim të qëndrueshëm“, njofton ZKM-ja.
Në anën tjetër, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, në prononcimin e tij para mediave pas takimit me Kurtin, është shprehur se QUINT-i në konsultim me NATO-n nuk mbështesin asnjë ndryshim të statusit të Urës së Ibrit.
“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara …. u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës aktualisht“, deklaroi Hovenier, teksa refuzoi të japë arsyet pse janë kundër hapjes.
Ndryshe, ky takim vjen pas polemikave në distancë mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian lidhur me hapjen e Urës së Ibrit.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se kjo çështje duhet të rregullohet vetëm në dialog, teksa emisari evropian, Miroslav Lajçak, muajin e kaluar kishte rikujtuar se hapja e urës në Mitrovicë është subjekt i dy marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja.
Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, është pajtuar me një qasje të tillë. Ata kanë rikonfirmuar se çdo vendim në lidhje me urën e Mitrovicës duhet të merret brenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Edhe Gjermania e përkrah BE-në në qëndrimin e saj. Ambasada e Gjermanisë në Kosovës vlerësoi se pavarësisht përpjekjeve të BE-së, ura mbetet e mbyllur për trafik.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratës së Bashkimit Evropian lidhur me hapjen e Urës së Ibrit.
Nga BE-ja thanë se kjo temë duhet të hapet në dialogun Kosovë-Serbi.
Osmani ka reaguar ashpër, duke thënë se Ura e Ibrit nuk është temë që duhet të hapet në dialog. Osmani thekson se presidenti serb nuk duhet të pyetet për çështjen e integritetit territorial të Kosovës./Reporteri




