Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vazhduar edhe për një vit gjendjen e jashtëzakonshme në lidhje me rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Kosova.
Dokumenti i publikuar nga regjistri federal i SHBA’së e që i është përcjellë Senatit, figuron i nënshkruar nga Trump më 22 qershor të këtij viti.
Aty përmendet vendimi i vitit 2025 i Trump për të vazhduar gjendjen e jashtëzakonshme në lidhje me rajonin për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme të individëve për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të minuar marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës dhe për t’u përfshirë në korrupsion të rëndë që dëmton sundimin e ligjit.
“Për këtë arsye, gjendja e jashtëzakonshme kombëtare e shpallur me Urdhrin Ekzekutiv 13219, në kuadër të së cilës u ndërmorën hapa shtesë me Urdhrin Ekzekutiv 13304, e cila u zgjerua në fushëveprim me Urdhrin Ekzekutiv 14033 dhe në kuadër të së cilës u ndërmorën hapa të tjerë shtesë me Urdhrin Ekzekutiv 14140, duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi edhe pas 26 qershorit 2026”, thuhet në dokument./Reporteri.net



