Një valë e re ndryshimesh pritet ta përfshijë Policinë e Kosovës, vetëm pak ditë pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm, Gazmend Hoxha, dhe zhvillimeve dramatike që pasuan vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.
Gazeta Nacionale merr vesh nga burime brenda Policisë së Kosovës se gjatë ditës së sotme priten ndryshime në disa prej pozitave më të rëndësishme drejtuese të këtij institucioni.
Në mesin e emrave që pritet të preken nga këto ndryshime janë Agron Nezaj, Afërdita Mikullovci dhe Luan Keka, tre zyrtarë me përvojë të gjatë në strukturat drejtuese të Policisë së Kosovës.
Sipas informacioneve të burimeve të Nacionales, Agron Nezaj pritet të largohet nga pozita e drejtorit të Departamentit të Hetimeve, një prej departamenteve më të rëndësishme të Policisë, përgjegjës për hetimin e kriminalitetit, përfshirë krimin e organizuar dhe veprat e tjera të rënda penale.
Nezaj ka udhëhequr këtë departament edhe gjatë mandatit të Gazmend Hoxhës. Ai ka qenë pjesë e delegacioneve të larta policore në takime ndërkombëtare dhe në aktivitete të përbashkëta me Prokurorinë Speciale.
Një tjetër emër që pritet të preket është Afërdita Mikullovci, kolonelja e Policisë së Kosovës, e cila që nga viti 2018 udhëheq Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut.
Mikullovci është ndër gratë me përvojën më të gjatë në pozita të larta komanduese në Policinë e Kosovës. Sipas burimeve të gazetës, ajo pritet të largohet nga drejtimi i rajonit të Mitrovicës dhe të transferohet në strukturat e trafikut rrugor.
Ndryshimi tjetër i rëndësishëm, sipas informacioneve që ka siguruar Nacionale, pritet të jetë largimi nga pozita drejtuese i Luan Kekës, drejtorit të Drejtorisë Kundër Terrorizmit.
Keka është një prej drejtuesve të vjetër të kësaj strukture. Ai përmendet publikisht si drejtues i Kundërterrorizmit të paktën që nga viti 2015. Ka ndjekur Akademinë Kombëtare të FBI-së në Shtetet e Bashkuara dhe ka qenë i përfshirë në trajnimet profesionale të institucioneve të drejtësisë për terrorizmin dhe ekstremizmin.
Ndryshimet e paralajmëruara ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, ndërsa nuk dihet nëse bëhet fjalë për një riorganizim të zakonshëm, për vlerësime të performancës apo për vendime të tjera të menaxhmentit policor.
A po përdoret rasti i Arlindës për ndryshime më të gjera në Polici?
Këto zhvillime vijnë në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm për Policinë e Kosovës.
Më 25 tetor, Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës, pasi për një kohë kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet e shtetit.
Hetimet dhe verifikimet e Inspektoratit Policor të Kosovës zbuluan dështime serioze në trajtimin e rastit të saj, përfshirë problemet me zbatimin e urdhrave për mbrojtje dhe mosreagimin e duhur të zinxhirit komandues ndaj kërkesave për masa shtesë sigurie.
Si pasojë, më 29 tetor u suspenduan 11 zyrtarë policorë në Pejë, përfshirë drejtues rajonalë, komandantë dhe hetues. Një ditë më vonë, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje, të cilën e cilësoi si akt moral.
Në krye të Policisë, si ushtrues detyre, u caktua Fehmi Hoti, me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Por derisa masat ndaj zinxhirit komandues në Pejë lidhen me dështime konkrete të identifikuara nga IPK-ja, ndryshimet e paralajmëruara në nivelet e tjera të Policisë ngrenë pikëpyetje të reja.
Çfarë lidhjeje ka drejtori i Kundërterrorizmit me dështimet e Policisë në Pejë? Përse duhet të ndryshohet drejtuesi i Departamentit të Hetimeve? Dhe mbi çfarë vlerësimi profesional po bëhet transferimi i drejtoreshës së Policisë në Mitrovicë?
Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje, veçanërisht nëse ndryshimet paraqiten si pjesë e reformave të nxitura nga rasti i Arlinda Zekajt.
Natyrisht, ndryshimet në strukturat drejtuese të Policisë nuk janë domosdoshmërisht të këqija. Ato mund të jenë të nevojshme për rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e funksionimit të institucionit.
Megjithatë, një tragjedi si ajo e Arlindës nuk duhet të shndërrohet në pretekst për ndryshime që nuk mbështeten në kritere të qarta profesionale, e aq më pak për ndërhyrje eventuale politike në strukturat e sigurisë.
Deri më tash nuk janë bërë publike gjetje që i lidhin tre drejtuesit e përmendur me dështimet konkrete në trajtimin e rastit në Pejë.
Pikërisht për këtë arsye, mbetet të shihet nëse ndryshimet që priten sot do të shoqërohen me arsyetime profesionale dhe transparencë institucionale, apo nëse do të hapin një debat të ri për mundësinë e politizimit të Policisë së Kosovës.
Rasti i Arlindës kërkon përgjegjësi dhe reformim të mënyrës se si Policia i mbron viktimat. Por përgjegjësia për një dështim konkret nuk duhet të shërbejë si arsyetim automatik për ndryshime në çdo nivel të institucionit.
/Gazeta Nacionale/



