Procesi i apelit mund të sjellë ndryshime në dënimet që Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i shqiptuan më 16 shtator kundër katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët i shpallën fajtorë për krime lufte, thotë Nevenka Tromp, hulumtuese e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Tromp, e cila ka ndjekur nga afër edhe procesin ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, thotë se më i mundshëm është një ndryshim i pjesshëm sesa i plotë i aktgjykimit ndaj tyre.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Tromp e ka cilësuar si “mëkat fillestar” të Dhomave të Specializuara faktin që, sipas saj, ato u konceptuan për ta “kënaqur” Serbinë, dhe jo si një institucion të mirëfilltë të përcaktimit të përgjegjësisë.
Ajo ka vlerësuar se gjykata u krijua më 2015 si çmim për vazhdimin e mbështetjes perëndimore për Kosovën, “me pritjen se lëshimet ndaj Beogradit do të çonin drejt njohjes së pavarësisë” së shtetit.
Sipas Trompit, aktgjykimi kundër katër ish-krerëve të UÇK-së ka pasoja përtej përgjegjësisë së tyre individuale. Ajo veçon konstatimin për “ndërmarrjen e përbashkët kriminale” dhe përmendjen në aktgjykim të personave që nuk ishin të pandehur në këtë çështje.
Apeli dhe bazat për kundërshtimin e fajësisë
Sipas Trompit, një nga bazat kryesore që mbrojtja mund ta kundërshtojë në apel është vetë ekzistenca e “qëllimit të përbashkët kriminal”, së bashku me mënyrën se si aktgjykimi e dalloi kontributin individual të katër të pandehurve.
Ajo thekson se trupi gjykues ka konstatuar se Thaçi dhe Krasniqi i kishin përdorur aktivisht pozitat e tyre për t’i zbatuar aspektet kriminale të “qëllimit të përbashkët”.
Ndërkaq, shpallja fajtor e Selimit, sipas saj, mbështetet në një cilësim thelbësisht të ndryshëm: mosparandalimin dhe mosndëshkimin e krimeve për të cilat ai kishte autoritetin dhe dijeninë për të vepruar. Pra, bëhet fjalë për një konstatim të bazuar në mosveprim dhe jo në zbatim aktiv.
Tromp e konsideron këtë një prej pikave më të kundërshtueshme në apel, pasi, sipas saj, ajo varet nga vlerësimet e lidhura me faktet specifike rreth asaj se çfarë dinte Selimi, kur e dinte dhe çfarë mund të bënte realisht lidhur me to.
Një tjetër bazë e mundshme për apel lidhet me materialin provues, veçanërisht me mbështetjen në deklaratat e dëshmitarëve të marra shumë vite pas ngjarjeve në fjalë. Ekipet e mbrojtjes pranë Dhomave të Specializuara i kanë kundërshtuar këto deklarata edhe në procedura të mëparshme.
Megjithatë, Tromp thotë se kundërshtimi i konstatimit të trupit gjykues për ekzistencën dhe zbatimin e një qëllimi të përbashkët kriminal është juridikisht i vështirë.
Sipas saj, shqyrtimi në apel në këtë sistem, i trashëguar nga jurisprudenca e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, nuk i peshon sërish provat, por përqendrohet në zbatimin e ligjit mbi provat dhe faktet, ashtu siç janë konstatuar.
Gjyqtarët, sipas Trompit, e kanë ndërtuar konstatimin për “qëllimin e përbashkët” në mënyrë kumulative, duke u mbështetur në modelet e shënjestrimit të “bashkëpunëtorëve” të supozuar para dhe gjatë luftës, në komunikatat dhe deklaratat politike që u referoheshin “masave ndëshkuese”, si dhe në strukturën dhe mënyrën e veprimit të objekteve të ndalimit në të gjithë territorin e kontrolluar nga UÇK-ja.
Për këtë arsye, ajo vlerëson se një rezultat i mundshëm i procesit të apelit do të ishte ngushtimi i aktgjykimit në aspektet që lidhen me përgjegjësinë individuale, përkatësisht se cili individ lidhej me cilat krime specifike dhe nëse viktima të caktuara i ishin atribuuar siç duhej “qëllimit të përbashkët”.
Çfarë mund të ndodhë në apel?
Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara mund ta konfirmojë aktgjykimin, ta rrëzojë shpalljen e fajësisë për pika të caktuara të aktakuzës, t’i rrisë ose t’i ulë dënimet, ose, në parim, të urdhërojë një rigjykim të pjesshëm për çështje të veçanta.
Një shkallë tjetër, Paneli i Gjykatës Supreme, është i disponueshëm në rrethana më të kufizuara, përfshirë rastet kur në apel shpallet fajësi pas një shpalljeje të pafajësisë, ose gjatë shqyrtimit të dënimeve veçanërisht të rënda.
Tromp thotë se, duke pasur parasysh dallimet tashmë të dukshme në aktgjykimin e shkallës së parë, një ndryshim i pjesshëm është një prej skenarëve që duhet marrë në konsideratë, veçanërisht sa i përket Selimit ose Veselit, pasi kontributi i tyre në “qëllimin e përbashkët”, sipas saj, është cilësuar nga gjyqtarët me terma më të dobët sesa ai i Thaçit dhe Krasniqit.
Megjithatë, ajo thekson se aktgjykimet në apel në gjykatat penale ndërkombëtare mbeten të paparashikueshme.
Tromp rikujton se edhe Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka pasur raste në të cilat dënime të rënda të trupit gjykues janë rrëzuar në apel, deri në shpallje pafajësie.
Edhe Prokuroria mund të apelojë
Sipas Trompit, duhet marrë seriozisht edhe mundësia që Prokuroria të apelojë pjesë të aktgjykimit.
Një apel i Prokurorisë, sipas saj, do të mund të shënjestronte pjesën e aktgjykimit që aktualisht i jep mbrojtjes dhe Qeverisë së Kosovës një prej bazave të tyre më të forta për ta kundërshtuar atë: shpalljen e pafajësisë për të gjashtë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit.
Krimet kundër njerëzimit kërkojnë prova për një politikë në nivel shtetëror ose organizativ dhe, sipas Trompit, zakonisht sjellin pasoja më të rënda në aspektin e dënimit në këtë fushë.
Për këtë arsye, rikthimi i disa ose i të gjashtë pikave do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm dhe do ta rihapte çështjen e dënimit, me mundësi për një rritje të tij.
Në aspektin procedural, një apel i tillë do të mund të sillte edhe një proces më të gjatë. Sipas strukturës me tri shkallë të Dhomave të Specializuara, një vendim i Panelit të Apelit që do ta shndërronte një shpallje pafajësie në shpallje fajësie do të aktivizonte një tjetër shtresë shqyrtimi në Panelin e Gjykatës Supreme.
Tromp: Aktgjykimi ka pasoja përtej përgjegjësisë individuale
Një nga rezultatet që Tromp i konsideron me pasojat më të mëdha të aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në çështjen “Thaçi dhe të tjerët” është konstatimi për ekzistencën e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Sipas saj, ky konstatim bie në kundërshtim me rezultatet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për çështje të ngjashme.
Ajo kujton se Tribunali i Hagës ka gjykuar gjashtë komandantë të UÇK-së në dy gjykime për akuza të krahasueshme lidhur me keqtrajtimin në kampe ndalimi të njerëzve të akuzuar për bashkëpunim dhe se të dyja çështjet përfunduan kryesisht me shpallje pafajësie.
Në asnjë aktgjykim të Tribunalit të Hagës, sipas Trompit, nuk është konstatuar se ekzistonte një “ndërmarrje e përbashkët kriminale” në nivelin e UÇK-së si të tillë, me një qëllim të përbashkët dhe një synim të përbashkët për të kryer krime.
Çështjet “Limaj” dhe “Haradinaj” të TPNJ-së, cilido qoftë rezultati i tyre, janë zhvilluar mbi një teori të individualizuar, ku komandantë të identifikuar me emër përgjigjeshin për kampe ose incidente të caktuara, pa një konstatim se udhëheqja e UÇK-së si tërësi kishte drejtuar një ndërmarrje kriminale.
A mund të shpërbëhen Dhomat e Specializuara?
Sa i përket mundësisë së “zhbërjes” së Gjykatës Speciale, Tromp thotë se ekziston një parim i përgjithshëm sipas të cilit cilido proces institucional që ka fuqinë për të krijuar diçka, zakonisht ka edhe fuqinë për ta zhbërë atë.
Megjithatë, sipas saj, në rastin e Dhomave të Specializuara kjo do të ishte e mundur vetëm nëse Kosova do të ishte në gjendje të çlirohej nga trysnia ndërkombëtare që, sipas saj, e prodhoi Gjykatën që në fillim.
Në vitin 2017, Kuvendi i Kosovës tentoi ta shfuqizonte plotësisht ligjin që mundësoi krijimin e Dhomave të Specializuara, por tentativa dështoi nën trysninë e vazhdueshme diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Tromp thotë se SHBA-ja dhe BE-ja e kishin bërë të qartë se zhbërja e Gjykatës do ta rrezikonte liberalizimin e vizave për Kosovën dhe rrugën e saj më të gjerë drejt anëtarësimit në BE.
Tani, pas aktgjykimeve konkrete, ajo vlerëson se kjo do të ishte edhe më e vështirë sesa në vitin 2017, kur ende nuk kishte aktakuza, gjykime apo shpallje fajësie.
Ligjërisht, sipas saj, një ndryshim i tillë mbetet i mundur, por do të ishte një ndërmarrje komplekse.
Themelimi i Dhomave të Specializuara është sanksionuar drejtpërdrejt në Kushtetutën e Kosovës përmes amendamentit të vitit 2015, i cili shtoi nenin 162. Për rrjedhojë, shpërbërja e tyre do të kërkonte një amendament tjetër kushtetues.
Ky amendament do të kërkonte një shumicë prej dy të tretash të të gjithë deputetëve, si dhe një shumicë të veçantë prej dy të tretash mes deputetëve që mbajnë vende të rezervuara për komunitetet joshumicë.
Ndikimi në Kosovë dhe në rajon
Tromp vlerëson se aktgjykimi ka ndikim edhe në mënyrën se si diskutohet lufta e viteve ’90, përgjegjësia për krimet dhe drejtësia ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor.
Sipas saj, aktgjykimi ndikon drejtpërdrejt në rrëfimin themeltar të luftës çlirimtare të Kosovës dhe të shtetësisë së saj, pasi të dyja mbështeten në masë të madhe te UÇK-ja si forca qendrore çlirimtare.
Ajo thotë se publiku i Kosovës dhe udhëheqja e saj politike e shtetërore ndihen të tradhtuar, duke theksuar bashkëpunimin e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare që nga vera e vitit 1998 dhe rolin e saj si partnere dhe aleate në periudhën pasluftës.
Tromp e lidh këtë edhe me rolin e Serbisë, duke përdorur termin “lawfare”, të cilin e përshkruan si vazhdim të objektivave të kohës së luftës përmes mjeteve ligjore.
Sipas saj, bëhet fjalë për përdorimin e të njëjtave gjykata dhe instrumente të drejtësisë penale ndërkombëtare për ta riformuluar rolin e Serbisë në dhunë dhe për ta zhvendosur vëmendjen te “kriminaliteti” i ish-kundërshtarit të saj.
Ajo përmend edhe çështjen e TPNJ-së për Kosovën, “Shainoviq dhe të tjerët”, ku u shqiptuan dënime përfundimtare, të konfirmuara në apel, prej 22 vjetësh burgim për Nebojsha Pavkoviqin, 18 vjetësh për Nikolla Shainoviqin, 20 vjetësh për Sreten Lukiqin dhe 14 vjetësh për Vlladimir Llazareviqin.
Këto dënime, sipas aktgjykimeve të Tribunalit, lidhen me një ndërmarrje të përbashkët kriminale që gjykata e gjeti përgjegjëse për zhvendosjen me forcë të qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës dhe vrasjen e qindra të tjerëve në trembëdhjetë komuna.
Millan Millutinoviq, president i Serbisë në atë kohë, u shpall plotësisht i pafajshëm.
Tromp vëren se Dhomat e Specializuara, duke gjykuar një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” të ndërtuar rreth 96 vrasjeve dhe ndalimit të më pak se 400 personave, i kanë dënuar dy figurat e saj më të larta me nga 25 vjet burgim, duke e krahasuar këtë me dënimet përfundimtare ndaj zyrtarëve serbë në çështjen e Kosovës në TPNJ.
Në Beograd, sipas Trompit, aktgjykimi është pritur me mosbesim, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund ta përdorë atë në diskursin politik për ta paraqitur udhëheqjen e UÇK-së gjatë luftës si palën e dënuar më rëndë për krime lufte.
Në Prishtinë, ajo vlerëson se efekti është i kundërt, duke përmendur zhgënjimin dhe protestat në rrugë, të cilat, sipas saj, rrezikojnë vazhdimin e paqëndrueshmërisë në Kosovë.



