Hetuesit policorë në Mitrovicë të Jugut kanë zbardhur tri raste të mashtrimit me automjete, ndërsa kanë arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në këto raste.
Sipas Policisë, i dyshuari dyshohet se në tri raste të ndryshme kishte marrë vetura me qira, ndërsa më pas, përmes mashtrimit, i kishte paraqitur ato sikur i kishte sjellë nga jashtë vendit, me qëllim të shitjes.
Pas veprimeve hetimore, policia ka arritur t’i lokalizojë dhe t’i gjejë veturat në lokacione të ndryshme. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme ligjore, ato do t’u kthehen pronarëve legjitimë.
Me vendim të prokurorit kompetent, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa ndaj tij janë iniciuar tri raste për veprën penale “Mashtrim”./Sinjali



