Super derbi i javës së 11-të të ProCredit Superligës i ka takuar Trepçës, që triumfoi në kryeqytet ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 68:81 (13:22, 20:19, 21:16, 14:24).
Mysafirët e nisën ndeshjen më mirë, ku me një seri 0:13 nga 6:3 kaluan në epërsi 6:16, derisa e fituan çerekun e parë 13:22. Vendasit barazuan shifrat në 28:28 në periudhën e dytë, por ‘Xehetarët’ sërish u shkëputën, për të shkuar në pushim me rezultat 33:41.
Kryeqytetasit e nisën fuqishëm pjesën e dytë, për të barazuar rezultatin në 41:41, megjithatë, kampionët nuk lejuan përmbysjen, kurse shifrat pas 30 minutash ishin 54:57.
Në dhjetë minutat e fundit dhe vendimtar, Trepça tregoi forcën dhe u shkëput, për të triumfuar 68:81.
Te bardhekaltrit u dalluan Qua Grant me 27 pikë e gjashtë kërcime dhe Daniel Lekndreaj me 15 pikë e tetë kërcime, ndërsa te mitrovicasit u dalluan Mikaile Tmusiq me 19 pikë, shtatë kërcime e katër asistime, Samuel Hunter me 16 pikë e katër kërcime dhe Desmond Cambridge me 17 pikë e shtatë kërcime.
Sigal Prishtina ka gjashtë fitore e katër humbje, kurse Trepça është e para me nëntë fitore e dy humbje.