Ndeshje të zjarrtë pritet të zhvillojnë Trepça e Bashkimi në finale të Kupës së Kosovës në basketboll.
Finalja e madhe zhvillohet të mërkurën prej orës 19:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Palestra pritet të jetë e mbushur me shikues, ndërsa përkrahja për të dy skuadrat, e madhe.
Federata e Basketbollit ua ka ndarë të dy klubeve nga 750 bileta. Finalja zhvillohet në terren neutral, kështu që kushtet për të dy skuadrat pritet të jenë të njëjta.
Trepça e Bashkimi janë dy skuadrat kryesore në basketbollin kosovar momentalisht. Pas xhiros së 20-të të Superligës të dy skuadrat i kanë nga 34 pikë, përkatësisht nga 14 fitore e gjashtë disfata. Trepça në xhiron e fundit u kthye në vendin e parë, pas disfatës së Bashkimit në Prizren nga Sigal Prishtina. Ndërkohë në xhiron e 20-të, mitrovicasit fituan në shtëpi me një pikë dallim ndaj Pejës, 67:66.
Para humbjes nga Prishtina, Bashkimi ishte në seri prej pesë fitoreve në Superligë. Trepça ka pasur lëkundje në formë së fundi, por megjithatë është lidere.
Sa u takon përballjeve direkte, Bashkimi ka dy fitore e Trepça një.
Bashkimi fitoi në kuadër të xhiros së parë, në Prizren, me rezultat 71:64. Në xhiron e tetë Trepça u revanshua, duke fituar bindshëm në Mitrovicë, 82:52. Në kuadër të xhiros së 15-të, sërish skuadrat u takuan në Prizren dhe fitore 76:72 shënoi Bashkimi.
Bashkimi e ka fituar Kupën e Kosovës vetëm një herë, në vitin 2001. Pra e kërkon suksesin që e pret për gati dy dekada e gjysmë. Ndërkohë Trepça i është gëzuar Kupës së Kosovës shtatë herë. E fitoi fillimisht trofeun e rëndësishëm në vitin 1993. Më pas në vitin 2000, në vitin 2004, 2012 dhe në tri vitet e kaluara. “Xehetarët” pra janë fitues në fuqi të Kupës.
Në çerekfinale të Kupës, Trepça e eliminoi Proton Cable Prizrenin, ndërsa në gjysmëfinale e kaloi Sigal Prishtinën. Bashkimi fillimisht eliminoi Borën e më pas Vëllaznimin.
Pasi në fundjavë nuk kishte ndeshje të Superligës për shkak të zgjedhjeve në Kosovës, si Trepça ashtu edhe Bashkimi kanë pasur kohë të mjaftueshme për ta përgatitur finale. Mitrovicasit në ditët e fundit kanë qëndruar në Shkup, ndërsa prizrenasit në Prishtinë.
Prizrenasit javën e kalaur shtunën në skuadër amerikanin Au-Diese Toney. Ndërkohë Trepça angazhoi amerikanin Michael Green dhe ndërkohë u nda me fundorin tjetër amerikan, Larry Thomas.
“Jemi duke u përgatitur maksimalisht për ndeshjen finale. Ndeshja ka rëndësi shumë të madhe për klubin tonë dhe qytetin. Synojmë Kupën pas shumë vjetësh. Do ta kemi përkrahjen e qytetarëve prizrenas dhe tifozëve ‘Arpagjikët’. Shpresojmë të mos ketë incidente mes tifozërive dhe të fitojë basketbolli kosovar”, ka thënë fundori i Bashkimit, Valon Bunjaku.
Bashkimi ka bërë ngritje të madhe këtë edicion dhe synon të luftojë edhe për titull të kampionit.
Ndërkohë Trepça e synon vazhdimin e dominimit. Vjet i mblodhi gjithë trofetë në basketbollin kosovar.
“Finalja do të jetë shumë e rëndësishme për ne dhe qytetin e Mitrovicës. Jemi përgatitur maksimalisht dhe besoj se do të kthehemi në qytetin e Mitrovicës me trofe. Ftoj tifozët që të jetë atmosferë sa më e mirë dhe pa incidente”, ka thënë shtatlarti i Trepçës, Dardan Kapiti.
Kupa është trofeu i dytë më i rëndësishëm në basketbollin kosovar, pas trofeut të kampionit.
Autor: Arsim Maxhera – Koha.net