13.5 C
Mitrovice
E premte, 3 Maj, 2024
spot_imgspot_img

Trepça në fund të vitit 2021 akumuloi humbje mbi 23 milionë euro

Mbi gjysmë milioni euro kishin arritur humbjet mesatare të ndërmarrjes Trepça gjatë periudhës 2019-2021 si shkak i mungesës së efikasitetit në shfrytëzimin dhe përpunimin e burimeve minerare.

Kështu ka vlerësuar Zyra Kombëtare e Auditorit e cila ka audituar performancën financiare dhe operative të kësaj ndërmarrje. ZKA më tutje ka evidentuar se në fund të vitit 2021 kjo ndërmarrje kishte akumuluar një humbje që arrinte vlerën e mbi 23 milionë eurove.

Humbje milionëshe vlerësohet të ketë pasur ndërmarrja “Trepça” gjatë periudhës 2019 -2021

Ky është vlerësimi i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm i bërë ndaj kësaj ndërmarrjeje.

Sipas tij, vetëm për dy njësitë, atë të Stan Tërgut dhe Kishnicës humbjet mesatare mujore të kësaj ndërmarrjeje arrinin mbi gjysmë milioni euro.


“Referuar analizave dhe vlerësimeve për NJB Stan Tërg dhe NJB Kishnicë Artanë, humbja mesatare mujore e kësaj njësie organizative arrin 620,307€. Kjo si rrjedhojë se shpenzimet e përgjithshme mesatare mujore tejkalojnë të hyrat mesatare mujore të realizuara nga shitja”, thuhet në vlerësimin e auditorit.

Ndërmarrja publike “Trepça” kishte dështuar të krijojë parakushte për operim përmes së cilave do të sigurohej shfrytëzimi efikas dhe fitimprurës i burimeve minerare gjatë periudhës 2019 -2021, thotë mes tjerash auditori.

Rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah dobësi dhe mungesë efektiviteti në sistemin e kontrollit të brendshëm që sipas raportit, do të mundësonin produktivitet të lartë në nxjerrjen e xehes, përpunimin dhe pasurimin e mëtejshëm të saj.

Edhe përkundër zvogëlimit të humbjes gjatë fundit të 2021-s për dy njësitë, viti financiar për këtë ndërmarrje sipas raportit, është përmbyllur me një humbje prej 24 milionë eurosh.

“Humbja për NJB Stan Tërg dhe NJB Kishnicë-Artanë ka pasur trend rritës deri në vitin 2020, ndërsa në fund të vitit 2021 ishte zvogëluar dukshëm, mirëpo edhe përkundër zvogëlimit, viti financiar është përmbyllur me rezultat negativ 689,468 €, ndërsa humbja e akumuluar deri më 31/12/2021 ishte 23,627,433 €”, thuhet tutje në vlerësim.

Me humbje kishte vazhduar të operojë edhe njësia Kopaonik-Leposaviç , humbjet e së cilës në fund të vitit 2021 arrinin mbi 2 milionë euro.

“Trendi i operimit me humbje për NJB Kopaonik-Leposaviç ishte evident edhe për vitin 2021 me rezultat negativ 719,820€, si vazhdimësi nga dy vjetët paraprake, por me një zvogëlim të theksuar ndërsa humbja e akumuluar për këtë njësi deri me dt. 31/12/2021 ishte 2,416,724 €”, ka bërë të ditur ZKA-ja.


Kjo ndërmarrje gjithashtu kishte dështuar të realizojë të hyrat për 2019-2021 sipas planifikimeve.

“Për vitin 2019 të hyra të realizuara në total 69.8%, në vitin 2020 65%, ndërsa në vitin 2021 të hyrat e realizuara në total ishin 85%. Kjo, si rezultat i mosrealizimit të të hyrave operative nga shitjet e koncentratit të plumbit dhe zinkut dhe të hyrat tjera”, thuhet në vlerësimin e ZKA-së.

Auditimi tregon gjithashtu se kësaj ndërmarrjeje në fund të vitit 2019 shuma e obligimeve ndaj furnitorëve të lëndës së parë në prodhim i kishte shënuar trend rritës ku për periudhën krahasuese 2019-2020 kishte rritje prej 45%, ndërsa gjatë periudhës 2020-2021 ishte 61%.

Në mesin e shumë sfidave dhe problemeve me të cilat përballet ndërmarrja publike është edhe teknologjia e stërvjetruar në miniera dhe flotacione.

“Shumica e makinerive dhe pajisjeve në NJB prodhuese janë të viteve të ’60-70-ta, mirëpo ka makineri edhe të viteve më të hershme. Si shkak i trendit të operimit me humbje dhe problemeve financiare të cilat po e përcjellin vit pas viti, investimet e vetme kapitale të cilat janë realizuar viteve të fundit në NJB Stan Tërg dhe NJB Kopaonik-Leposaviç janë investimet me subvencionet e ndara nga Buxheti i Kosovës, ndërsa – NJB Kopaonik-Leposaviç ka pasur investime kapitale edhe nga buxheti vetanak, investime këto të cilat synojnë të sigurojnë vazhdimësinë e procesit të prodhimit”, thuhet tutje në vlerësim.

Një tjetër sfidë për këtë ndërmarrje është edhe mosha e shtyrë e të punësuarve, e cila ka ndikim në procesin e prodhimit.

Për këto të gjetura Koha ka kontaktuar me u.d të kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahamni i cili ka thënë t’u referohemi komenteve të dhëna ZKA.

Abdurrahmani në komentet e dhëna ka thënë se i pranon pjesërisht të gjeturat dhe rekomandimet dhe se brenda 30 ditësh do të dorëzojë një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve. /koha.net

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT