Përveç Artanës-Novobërdës, qendër e dytë e xehetarisë në Ballkan ka qenë edhe Trepça, e cila për herë të parë me këtë emërtim përmendet më 1303, por ajo ka qenë e njohur edhe më parë dhe me shekuj ka qenë e shfrytëzuar nga romakët. Historia e Trepçës, prodhuesit dikur më të madh të plumbit dhe zinkut në Evropë, ka qenë e bujshme, siç kanë qenë të bujshme edhe në kohët në të cilat është formuar edhe zhvilluar ky gjigant i ekonomisë kosovare
Kosova trashëgoi gjatë mijëravjeçarëve një thesar të çmuar arkeologjik, i cili mundëson përcjelljen e jetës gjatë periudhave të ndryshme parahistorike dhe, njëko¬hësisht, shpalimin e relacioneve kulturore e të relacioneve të tjera në hapësirat fqinje.
Pozita gjeografike shumë e volitshme si dhe vetitë e relievit dhe të klimës të kësaj krahine, kanë kushtëzuar popullzimin e hershëm të luginave, brigjeve të lumenjve, e pjesërisht edhe të viseve malore. Deri vonë, prehistoria e këtyre viseve njihej fare pak. Vetëm në sajë të gërmimeve arkeologjike të bëra kohëve të fundit, u fitua pamja më e plotë e kësaj periudhe.
Me atë rast, para së gjithash, u konstatuan se territori i Kosovës dhe i tërësive regjionale kufitare ka qenë populluar shumë kohë më parë, se sa parashikohej kjo, për disa pjesë të saj.
Dardanët – banorët më të hershëm të Kosovës
Në bazë të materialit të shumtë dhe të pasur arkeologjik është bërë shumë më e qartë madje edhe periudha më e vjetër e jetës mbi territorin e Kosovës, prehistoria e saj. Bartës të periudhës së re të pre dhe protohistorisë së Kosovës na paraqiten dardanët.
Pra, dardanët ishin banorët më të hershëm të Kosovës të njohur historikisht.
Dëshmitë më të hershme për ekzistimin e qendrave urbane në Dardani dalin në shekullin I p.e.s. Këto, duke u mbështetur në burime më të hershme, i pari i shënoi autori grek Straboni (63-20), i cili disa prej tyre i quan qytete të vjetra-polis arhaia (Strabon. Geographica VII 1, 5). Fakti se këto i sheh si qytete të vjetra dëshmon se këto janë formuar shumë më parë se koha e tij.
Formimi i qendrave urbane dardane përkon me shekullin IV p.e.s., dhe është rezultat i përparmit ekonomik. Qendrat urbane u zhvilluan nga ato paraurbane pranë xeheroreve të hapësirës Artanë (Novobërdë)-Kopaonik apo pranë udhëkryqeve tregtare.
“Qytezat” e fortifikuara, instalimi i shkëmbimit monetar
Shumica e objekteve të kësaj periudhe janë “qytezat”, vendbanimet fortifikuara, të cilat i ndeshim në të gjitha viset e Kosovës. Një vend të veçantë midis vendbanimeve gërmadhore në Kosovë zënë ato, siç janë “Gradishte”, në Veletinë mbi Janjevë dhe “Zllatno Gumno” tek Artana, me të cilat shkojnë edhe “fortesat” në Cernicë, Binç e Gërnçar në Moravën e Epërme. Të tëra këto fortesa janë ndërtuar në riviret e xehes së plumbit e të argjendit, ku ekzistojnë sa e sa gjurmë të xehetarisë së lashtë. Sado që nuk kemi dëshmi të drejtpërdrejta materiale, prapëseprapë mund të pohohet me siguri se pasuria jashtëzakonisht e madhe e këtyre viseve me xehe e ka nxitur shfaqjen e shumë të hershme të veprimtarisë xehetare. Në dobi të kësaj teze shkojnë edhe shënimet e burimeve antike që bëjnë fjalë mbi xehetarinë e rëndësishme në tokat e pirustëve dhe dasaretëve, fise këto që jetonin në jug të rrjedhës së poshtme të Drinit, në afërsi të madhe me dardanët që ishin fqinj. S’ka fije dyshimi që kjo gjë ka mundur të ndikojë edhe mbi zhvillimin e xehetarisë në pjesën e viseve të pasura me xehe, të cilat i banonin fiset dardane, kurse për lidhjet e rëndësishme, të cilat i lidhnin këto vise, dëshmojnë edhe shumë e shumë monedha të qytetit Demastion. Qarkullimi i monedhave në Dardani nisi në shekullin V p.e.s., sipas gjetjeve të deritashme të monedhave të Tasosit, për t’u intensifikuar nga shekulli IV p.e.s. Nga shekulli IV p.e.s., qyteti Damastion, i cili gjendej në Dardani apo në afërsi të saj, farkoi monedhat e mëvetësishme. Ky farkim zgjati deri në vitin 320 p.e.s.
Monedhat e Damastionit farkoheshin pranë xeheroreve të njohura dhe se pa marrë parasysh se a gjendej në Veletin të Janjevës, Artanë, pranë Trepçës apo gjetiu, qarkullimi i tyre në Dardaninë e shek. IV p.e.s., flet për instalimin e hershëm të shkëmbimit monetar në këto troje.
Përmendja e Trepçës më 1303
Përveç Artanës-Novobërdës, qendër e dytë e xehetarisë në Ballkan ka qenë edhe Trepça, e cila për herë të parë me këtë emërtim përmendet më 1303, por ajo ka qenë e njohur edhe më parë dhe me shekuj ka qenë e shfrytëzuar nga romakët.
Historia e Trepçës, prodhuesit dikur më të madh të plumbit dhe zinkut në Evropë, ka qenë e bujshme, siç kanë qenë të bujshme edhe në kohët në të cilat është formuar edhe zhvilluar ky gjigant i ekonomisë kosovare. Trepça e vjetër më se 2000 vjet mban mend iliro – dardanët, romakët, sllavët, osmanët, austro-hungarezët, anglezët, gjermanët, serbo-sllavët e më në fund sërish shqiptarët. Të gjitha këto periudha kohore në një mënyrë kanë lënë gjurmët e veta në Trepçë.
Në librin e Oliver Davisit “Minierat romake në Evropë”, vend të spikatur zë Trepça, e më pastaj përmenden Artana, Janjeva, Brskova e të tjera. Në dokumentet historike Trepça paraqitet si një vendbanim i madh me tregti të zhvilluar.
Zbulimet e arkeologjike dhe dhjetë mijë punishtet
Në fshatin Tunel, që gjendet në afërsi të Trepçës, janë zbuluar furra të vjetra primitive, zgjyra, (skorje), copa të enëve për shkrirje dhe rafinimin e plumbit, që tregojnë për aktivitete të hershme minerare metalurgjike të Trepçës.
Në rrethinën e Trepçës janë gjetur figura nga plumbi, vegla pune, llamba, thasë lëkure, monedha, galeri dhe puse, themele të kolonive romake e të kishës, varreza e gjësende të tjera.
Një pjesë e këtyre zbulimeve arkeologjike është ekspozuar dhe ruhen në Muzeun “Trepça” në Stantërg.
Në hapësirën nga Stantërgu deri te fshati Guvnisht, në kohën e hulumtimit të këtij terreni (1926), anglezët kanë numëruar afër dhjetëmijë punishte në formë bunarësh të ashtuquajtura “ping”, nga të cilat disa janë të kohës romake dhe të mesjetës. Në fillim romakët xehen e kanë nxjerrë nga sipërfaqja e më pastaj, duke përcjellë damarët e mineralit, kanë filluar të depërtojnë në thellësi. Meqenëse xehja ishte kompakte ka qenë vështirë të copëtohet, në sipërfaqen e saj kanë ndezur zjarrin dhe pastaj mbi të kanë hedhur ujin, duke shkaktuar ndarjen e xehes në copa. Pastaj këto copa i kanë shkrirë në mënyrë primitive.
Edhe pse njohuritë mbi vëllimin dhe format e shfrytëzimit të pasurisë së xeheve në këtë anë janë shumë të mangëta, mund të nxirren disa konkluzione të përgjithshme, të cilat na imponon materia që njohim deri sot.
Romakët e mahnitur minatorët ilirë
Romakët, pasi që pushtuan të gjitha tokat ilire, u mahnitën me mjeshtërinë e paparë të këtij populli në nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve të dobishme të argjendit, arit, plu-mbit, hekurit dhe boksit. Gjithashtu perandori romak Trajan, duke qenë i bindur në traditën shekullore të minatorëve ilirë, të cilët këtë mjeshtri të vështirë e të rëndë me plot rreziqe e ushtronin aq mirë, vendosi të shpërngulë fisin ilir të pirustëve në Transilvaninë Perëndimore për të punuar në minierat e arit, por njëherësh edhe për t`u mësuar të tjerëve artin minerar kaq të rëndësishëm për lulëzim e perandorisë. Prandaj nga këto miniera të arit të këtij rajoni, më e madhja, mori emrin sipas minatorëve perustë “Vicust Pirustorum”.
Romakët gjetën në Dardani një ekonomi të formësuar. Kjo ekonomi kishte një mbështetje të qëndrueshme, sa në bujqësi dhe blegtori, aq edhe në xehetari, metalurgji. Në zeje të ndryshme dhe tregti. Pra, romakët gjetën në këto vise xeheroret, të cilat i eksploatorin dardanët, mirëpo ata ua dhanë këtyre rëndësi të re, shtuan prodhimin e tyre dhe i bënë në bazë të ekonomisë së tyre mbi territorin e sotëm të Kosovës. Këtë gjë e kanë imponuar marrëdhëniet ekonomike që kishin pësuar ndryshime, forcimi i ekonomisë monetare dhe nevoja për sigurimin e metaleve fisnike.
Kështu vazhdoi edhe shfrytëzimi i xeheroreve në dy komplekset më të mëdha xehetare, në kompleksin e Ibrit, Trepçë-Kopaonik-Rogoznë, dhe në kompleksin Kosovë-Moravë Jugore, Ajvali, Janjevë-Artanë.
Në kohën romake në Trepçë ka qenë selia e prekuratorit të minierës (precurator metallorum).
Kushtet e punës në miniera kanë qenë shumë të vështira. Puna është zhvilluar në ambiente të rënda e pa ajrosje, me ndriçim të dobët e duke punuar 12-14 orë në ditë. Minatorët punonin të shtrirë për shkak se galeritë kanë pasur profile të vogla me largësi 0.7-1.0 m., kurse transportin e xehes e bënin duke e tërhequr me saja ose me bartje në shpinë të thasëve të lëkurës të mbushur me mineral. Nga ndonjëherë është përdorur edhe zjarri me të cilin është nxehur xehja dhe pastaj mbi të kanë hedhur ujë, kështu që për shkak të ndryshimeve të temperaturave xehet janë copëtuar.
Harlod Aert Titkom në Trepçë ka zbuluar 7 galeri dhe ka urdhëruar që ato të pastrohen nga shembja dhe pluhuri dhe njëherësh çdo gjësend që do të gjendej në to duhej t’i sillej atij. Në këto galera të lëna qysh prej kohësh janë zbuluar shumë gjësende me të cilat minatorët në atë kohë janë shërbyer në punë: argen (me çikrik për ngritje të xehes, nga thellësia – hojsë), kryqëz, çekiç, lopata, kazma, enë për shkrirje të xehes.
Çekiçi punuar nga hekuri i meteorëve
Për një çekiç të gjetur në Trepçë, O. David thotë se e ka dërguar në Londër për ta hulumtuar në mënyrë laboratorike. Çekiçi kishte një fortësi të pazakonshme, kështu që kimistët kanë ardhur në përfundim se ishte ndërtuar nga hekuri i meteorëve.
Mjerisht, shfrytëzimi bashkëkohor nëpër regjionet më të vjetra xehetare i ka shkatërruar, pa kurrfarë dokumentacioni, mbeturinat e punimeve të mëparshme, kështu që në asnjërën nga xeheroret nuk i ndeshim gjurmët e sigurta të xehetarisë prehistorike. Mirëpo, nëpër gropat e xeheroreve mund të hasen sporadikisht sende të proveniencës romake-monedha, llapa xehetarësh dhe vegla, mirëpo dëshmitë më të sigurta të eksploatimit gjatë periudhës antike janë mbeturinat e vendbanimeve të vendosura mu buzë rivierave xehetare. Pranë shumicës së këtyre aglomeracioneve të vendbanimeve janë zbuluar një varg grumbuj mbeturinash të ndryshme, gropa të shembura xeherorësh dhe pjesë ndër¬tesash për ekstraksionin e xehes. Vëllimi dhe sasia e këtyre mbeturinave dëshmojnë eksploatimin shumë intensiv, e cila është fare e kuptueshme kur merret parasysh fakti se xeheroret e Kosovës dhe të Rrafshit të Duka¬gjinit e kanë përjetuar lulëzimin e vet të plotë mu në periudhën e krizës serioze të rezervave të metaleve fisnike, në rend të parë të argjendit, të shkaktuar për shkak të shfrytëzimit maksimal të xeheroreve në Spanjë dhe Britani.
Dyndjet e fiseve barbare-sllave dhe rënia e aktivitetit
Monumentet epigrafie që njihen deri më sot nuk na i sjellin shënimet mbi mëny¬rën e administrimit, sistemin e eksploatimit dhe pronësinë e xeheroreve mbi territorin e Kosovës. Nga kjo bën përjashtim vetëm riveri xehetar i Rogznës dhe Municipi DD i Soçanisë. Prandaj me këtë rast mund të supozohet se xeheroret e tjera, duke përfaqësuar njërën pjesë të agri publici, shkallë-shkallë kaluan në pronësi private të perandorit.
Nga sa u tha, mund të konstatohet se xehetaria në tërë gjysmën lindore të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit ishte degë dominuese e ekonomisë, ajo ka ndikuar mbi shpërndarjen dhe zhvillimin e qyteteve dhe, i ka imponuar elementet e marrëdhënieve shoqërore dhe etnike brenda vendi. Kjo ka bërë gjithashtu të ndikojë edhe në zhvillimin e vrullshëm të zejtarisë, sepse zejtarët na shfaqen krahas me përtëritjen e xeheroreve.
Me shpërbërjen e Perandorisë Romake dhe me dyndjet e fiseve barbare-sllave, pati një rënie të theksuar të aktivitetit minerar. Kështu që me largimin e romakëve, nxjerrja dhe përpunimi i xeheve mbetet në harresë për një kohë të gjatë, në mënyrë që në mesjetën e vonë (1000-1492) fillojnë të gjallërojnë në kohën e sundimit serb./koha.net