Basketbollistët e Trepçës kanë udhëtuar drejt Estonisë me synimin e qartë – kualifikimin në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup.
Për ta arritur këtë, nënkampionia e Kosovës duhet të dalë e para në Grupin C të turneut kualifikues që mbahet në Parnu të Estonisë. Duelin e parë Trepça e luan të mërkurën. Prej orës 18:00 përballet me ekipin nga Islanda, Tindastoll. Ndërsa duelin e dytë ekipi mitrovicas e zhvillon të enjten nga ora 18:00 kundër ekipit estonez, Parnu. Në grupin C janë vetëm tri skuadra.
Amerikani Kevin Davis beson se Trepça mund të dalë e para në grupin kualifikues, për t’u paraqitur për herë të parë në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup. Davis bazohet në rezultatet e ekipit në fillim të këtij edicioni.
Trepça e nisi edicionin me triumf në Superkupën e Kosovës, ndërsa në dy ndeshjet e para të kampionatit ka regjistruar dy fitore dhe qysh tash po llogaritet favorite për titullin e kampionit.
Davis, i cili u zgjodh MVP i Superkupës dhe i xhiros së dytë të Superligës, insiston se Trepça është gati ta dëshmojë veten edhe ndaj ekipeve evropiane. Amerikani, që po del të jetë përforcim i madh i mitrovicasve, pranon se do të jenë përballje të vështira.
“Deri më tani, gjërat kanë shkuar mirë këtë edicion dhe nuk mund të ankohemi. Megjithatë, fokusin tash e kemi te turneu kualifikues i FIBA Europe Cup që nuk do të jetë aspak i lehtë. Fillimisht do të përballemi me Tindastollin dhe pastaj me Parnun në tentim për ta siguruar kualifikimin në stinorin e rregullt. Sa i përket duelit të parë, mendoj se kemi forcën dhe cilësinë e duhur për të fituar. Duhet të bëjmë një paraqitje perfekte, sidomos në fazën ofensive. Pra, të shfrytëzojmë kapacitetin që e kemi si ekip dhe të zbatojmë detyrat me përpikëri, duke u treguar të kujdesshëm edhe në mbrojtje”, është shprehur Davis të martën për KOHËN.
“Tindastolli ka ekip të mirë dhe luan tempo të lartë. Po ashtu, ka lojtarë që janë të saktë. Jemi përgatitur mirë dhe personalisht mendoj se do ta sigurojmë kualifikimin në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup”.
Davis thotë se për Trepçën është shumë e rëndësishme të paraqitet në këtë garë, në të cilën dështoi të kualifikohej edicionin e shkuar. Vjet, në turneun kualifikues të organizuar në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Trepça u eliminua në gjysmëfinale nga Gottingeni i Gjermanisë.
“Jemi të motivuar dhe të gatshëm për t’u kthyer në Mitrovicë si pjesëmarrës të stinorit të rregullt. Ky nuk është vetëm synim i klubit, por edhe synimi personal i imi, pasi dua të luajë në këtë garë evropiane”, insistoi Davis.
Tindastolli është kampion në fuqi i Islandës. Për ekipin islandez kjo është hera e parë që kërkon kualifikimin në garat e FIBA-s. Ekipi përbëhet prej lojtarëve vendas, ndërsa për këtë edicion ka edhe pesë të huaj. Bëhet fjalë për një lituanez, dy britanikë, një estonez dhe qendrën amerikane, Stephen Domingo, të cilin e ka transferuar para dy javësh.
Kampionia e Kosovës, Peja, tashmë ka konfirmuar paraqitjen në FIBA Europe Cup dhe do të jetë pjesë e Grupit H. Peja është zhvendosur në FIBA Europe Cup pasi u eliminua në çerekfinale të turneut kualifikues të Ligës së Kampionëve nga Bakken Bears i Danimarkës. Në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, edicionin e shkuar është paraqitur Golden Eagle Ylli, ndërsa Sigal Prishtina ka luajtur në katër raste.
© KOHA.