Trepça e ka nisur furishëm ndeshjen ndaj Vëllaznimit në Gjakovë dhe më pas ka mbajtur epërsi deri në fund.
Të dielën mbrëma në palestrën “Shani Nushi”, kampionia në fuqi e fitoi me rezultat 88:74 ndeshjen e xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në basketboll. Në fakt Trepça ishte vendase por ndeshja u zhvillua në Gjakovë për shkak të renovimit të parketit në palestrën “Minatori”.
Trepça e fitoi çerekun e parë me rezultat 29:15. Ritëm i njëjtë ishte edhe në çerekun e dytë, që përfundoi 25:16 për mitrovicasit.
Gjakovarët shfaqën pak më shumë në çerekun e tretë, të cilin e fituan 22:18. Në çerekun e fundit Vëllaznimi u mundua të bëj rikthimin e madh. U afrua deri në nëntë pikë, por jo edhe më shumë. Më pas mitrovicasit e mbyllën ndeshjen me qetësi.
Samuel Hanter udhëhoqi Trepçën me 17 pikë e katër kërcime. Nuk e kishte asnjë gjuajtje të pasaktë. Malik Johnson, Mikaile Tmushiq e Batin Tuna i shënuan nga dhjetë pikë.
Dardan Kapiti i realizoi 16 pikë e shtatë kërcime, ndërsa Larry Thomas i kishte 13 pikë. Drilon Hajrizi luajti 15 minuta për Trepçën dhe realizoi tetë pikë. Për Hajrizin është ndeshja e parë në këtë edicion. Ai mungoi për shumë muaj për shkak të një operimi në vesh.
Te Vëllaznimi u dallua Michael Nuga me 29 pikë, pesë asistime e katër kërcime. Arian Azemi i kishte 12 pikë e tri asistime, ndërsa Trey Anderson i realizoi 14 pikë e katër kërcime.
Trepça tani i ka tetë fitore e dy humbje, bilanc që e ka edhe Bashkimi. Vëllaznimi e pësoi humbjen e gjashtë, ndërsa mbetet me katër fitore./koha.net