11.9 C
Mitrovice
E premte, 3 Maj, 2024
spot_imgspot_img

Trepça fiton gjysmëfinalen e parë me Prishtinën

Trepça e ka vazhduar dominimin ndaj Sigal Prishtinës. Të dielën mbrëma në palestrën e stërmbushur me shikues në Mitrovicë, Trepça e mposhti Prishtinën në ndeshjen e parë gjysmëfinale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll.

“Xehetarët” fituan me rezultatin 87:81 për të bërë hapin e parë drejt finales.

Trepça ka fituar katër përballjet me Prishtinën në kuadër të stinorit të rregullt. E ka mposhtur edhe në garat për Superkupë, Kupë dhe Ligën Unike. Dhe tani edhe në gjysmëfinalen e parë të plejofit.

Në finale kalon skuadra që i shënon tri fitore. Ndeshja e dytë zhvillohet në Prishtinë mesjavën e ardhshme, ndërsa në ndeshjen e pestë eventuale përparësinë e terrenit do ta ketë Trepça.

Skuadra mitrovicase ka qenë në epërsi thuajse gjatë gjithë ndeshjes.

E fitoi çerekun e parë 22:19, ndërsa të dytin me 21:20. Edhe çereku i tretë i takoi Trepçës, 21:16.

Çereku i katërt filloi me rezultatin 64:55 në të mirë të Trepçës. Prishtina u afrua në dy pikë, 70:68, pesë minuta para fundit. Por Trepça bëri sërish shkëputje dhe mbajti epërsi solide deri në fund.

Kevin Capers kishte statistikat më të mira te Trepça. Ai ndeshjen e përfundoi me 13 pikë, katër kërcime e katër asistime. Mikaile Tmushiq i kishte 12 pikë e shtatë kërcime. Darnell Edge kontribuoi me 12 pikë e tetë asistime. Më efikasi ishte Drilon Hajri me 14 pikë.

Te Prishtina sërish u dallua Diamond Stone me 23 pikë e katër kërcime. Donovan Smith i kishte 15 pikë e tri kërcime. Derrick Wilson i kishte 13 pikë e katër asistime, ndërsa Donte Clark i realizoi 10 pikë. Mungoi kontributi i lojtarëve të vendit dhe kështu u bë dallimi.

Në gjysmëfinalen tjetër takohen Peja e Golden Eagle Ylli. Ndeshjen e parë në Pejë e fitoi Ylli i Suharekës. Ndeshja e dytë është në Suharekë.

Trepça ka fituar Superkupën, Kupën dhe Ligën Unike. Po synon një edicion të përkryer sa i takon garave vendore./koha.net

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT