Kampionia në fuqi e Kosovës, Trepça, e ka nisur me humbje stinorin e rregullt në “FIBA Europe Cup”, që është niveli i dytë i garave që organizohen nga FIBA.
Mitrovicasit të mërkurën mbrëma pësuan humbje 91:77 në palestrën “Minatori” nga skuadra greke Promitheas Patras BC.
Skuadra greke shfaqi nivel të lartë dhe nuk hasi në telashe në ndeshjen e xhiros së parë të Grupit A.
Me rezultatin 28:12 u mbyll çereku i parë në të mirë të Promitheasit. Të dytin e fitoi Trepça 27:17, por nuk arriti që në pjesën e dytë të vazhdojë me të njëjtin ritëm.
Promitheas fitoi në dy periudhat e fundit 22:18 dhe 24:20, për triumfin e parë në grup.
Kevin Bracy-Davis ishte më i dalluari te Trepça me efikasitet prej 25 pikëve, dy kërcimeve e një asistimi. Edhe Shawn Jones e Dardan
Kapiti patën lojë të mirë. Jones i realizoi 13 pikë tri kërcime e po aq asistime, ndërsa Kapiti i shtoi 11 pikë, shtatë kërcime e katër asistime. Edhe Matt Mobley pati pikë dyshifrore, dhjetë gjithsej.
Kendal Coleman i kishte statistikat më të mira te mysafirët me 14 pikë, 11 kërcime e një asistim.
Ndeshjen e dytë, Trepça e luan më 14 tetor në Kroaci ndaj BC Splitit./koha.net




