Skuadra e Trepçës ka vazhduar me dominimin në elitën e basketbollit të Kosovës. Të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Trepça fitoi tjetër titull, për ta konfirmuar dominimin në basketbollin kosovar.
Trepça e mposhti Bashkimin 98:78 në finalen e katërt. Për mitrovicasit është titulli i shtatë në histori të klubit dhe i treti rresht. Me këtë triumf, Trepça tani është skuadra e dytë më e suksesshme në Kosovë, duke e kaluar Pejën që ka gjashtë tituj. Sigal Prishtina është skuadra më e suksesshme me 14 tituj.
Trepça i ka fituar titujt në vitet 1993, 2000, 2001, 2012, 2024 dhe 2025.
Bashkimi mbetet me vetëm një titull kampioni në Kosovë. Titullin e fitoi në vitin 2018, ndërsa ishte në finale edhe në edicionin e kaluar, kur humbi pikërisht nga Trepça.
Serinë finale të plejofit të elitës së basketbollit kosovar, Trepça e fitoi me rezultatin 4:0. Dy ndeshjet e para në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Trepça i fitoi me rezultatin 84:79 dhe 93:83. Në të dyja ndeshjet, të pranishëm ishin mbi tre mijë shikues. Palestra ishte e mbushur plot edhe në “Sezai Surroi” të dielën në Prizren. Por, atmosfera e zjarrtë e krijuar nga tifozët vendës, nuk u ndihmoi basketbollistëve të Bashkimit. Edhe atë ndeshje, “xehetarët” e fituan 84:80.
Sfida e së mërkurës nuk mblodhi shumë shikues në Prizren, ndërsa nisi më mirë për vendësit që krijuan shpejtë epërsi 9:0 dhe më pas 11:2. Por, skuadra e trajnerit Adis Beqiragiq u kthye në lojë shpejtë dhe e barazoi rezultati pesë minuta pa u mbyllur çereku i parë në 13:13.
Më pas kaloi në epërsi për të mos e lëshuar deri në fund të ballafaqimit.
Çerekun e parë, Trepça e mbylli me rezultatin 30:22, ndërsa në pushim shkoi me 12 pikë dallim, 52:40.
Rezultati shkoi duke u thelluar ndërsa pas çerekut të tretë ishte 77:63.
Deri në fund nuk lejoi befasi dhe iu gëzua fitores së thellë.
Shawn Jones i kishte statistikat më të mira në ndeshje te Trepça me nëntë pikë e pesë kërcime. Mikaile Tmushiq u dallua po ashtu me 11 pikë, gjashtë kërcime e dy asistime.
Akili Vining i realizoi 13 pikë, ndërsa nga 12 i patën Drilon Hajrizi dhe Ja’Cori Payne. Me dhjetë pikë ndeshjen e mbyllën Mustapha Amzil dhe Kenneth Hasbrouck.
Ike Nwamu ishte më i miri te Bashkimi me 18 pikë, katër kërcime e tri asistime.
Trepça në gjysmëfinale të plejofit e eliminoi Pejën, ndërsa Bashkimi triumfoi ndaj Borës së Prishtinës. Dhe në finale, mitrovicasit nuk gabuan për një tjetër triumf.
Muaj më parë pikërisht ndaj Bashkimit, Trepça e fitoi edhe Kupën e Kosovës për herën e pestë rresht, dhe për të nëntën herë në histori./Koha.net





