Trepçës i ka mjaftuar çereku i parë për të krijuar epërsi të thellë ndaj Golden Eagle Yllit të shtunën. Dhe deri në fund nuk e rrezikoi për asnjë moment fitoren në xhiron e 16-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
“Xehetarët” kishin start të furishëm në palestrën “Minatori” para tifozëve të vet, për të fituar në fund me rezultatin 91:68, e për ta vazhduar qëndrimin në krye të tabelës së Superligës.
Ishte ndeshja e parë e Trepçës në shtëpinë e vet pas një kohe shumë të gjatë, pas rinovimit të parketit që iu bë palestrës “Minatori”. Më pas, Trepça nuk kishte ndeshje në këtë arenë.
Trepça pas 16 ballafaqimeve të këtij edicioni ka 12 fitore e katër disfata dhe prinë në tabelë me 28 pikë. Ndryshe nga mitrovicasit, skuadra suharekase vazhdon të thellohet në krizë rezultatesh. Aktualisht ka shtatë fitore e nëntë disfata dhe 23 pikë në total.
“Lojën e fituam në çerekun e parë. Kjo ishte fitore shumë e rëndësishme pas humbjes në Prizren. Kemi dy lojtarë të lënduar. Ne do të na duhen edhe disa fitore tjera për ta kthyer edhe formën më të mirë fizike”, është shprehur Beqiragiq.
Për Golden Eagle Yllin ishte humbja e katërt rresht, pasi u mposht edhe nga Vëllaznimi, Proton Cable Prizreni dhe Bora.
“Po na mungon energjia në ekip. Ne po mundohemi duke u munduar të krijojmë diçka, por basketbolli është sport dhe duhet vrapuar. Neve na duhet energji e re dhe do të reagojmë në këtë aspekt. E nisëm dobët ndeshjen, sidomos në fazën e sulmit. Nuk kishim qarkullim të topit. Pastaj mbetëm duke e ndjekur rezultatin dhe nuk ishte e lehtë të ktheheshim më në lojë ndaj një skuadre siç është Trepça”, ka deklaruar pas ndeshjes Endrit Elshani, trajner i Golden Eagle Yllit.
Trepça në pesë minutat e para të ndeshjes nuk e lejoi Yllin të shënonte asnjë pikë, ndërsa e mbylli këtë çerek të lojës me 22 pikë dallim, 29:7.
Të njëjtën epërsi, vendësit e mbajtën edhe pas përfundimit të pjesës së parë.
Periudha e dytë u mbyll 20:20, ndërsa në fillim të çerekut të tretë rezultati ishte 49:27.
Mysafirët e fituan periudhën e lojës pas pushimit, 25:23, por kjo nuk ishte e mjaftueshme. Trepça ishte edhe më e suksesshme në dhjetë minutëshin e fundit, 19:16, për fitoren me 23 pikë dallim.
I pandalshëm te skuadra e Trepçës në ballafaqimin e së shtunës ishte Malik Johnson, që kishte statistikat më të mira te “xehetarët” me 23 pikë, shtatë kërcime e tetë asistime.
Ai u ndihmua edhe nga Samuel Hunter që ndeshjen e mbylli me 15 pikë, tetë kërcime e dy asistime.
Drilon Hajrizi i kishte 16 pikë, gjashtë kërcime e dy asistime.
Te Golden Eagle Ylli statistikat më të mira i pati Jan Palokaj me 17 pikë, katër kërcime e tri asistime, ndërsa Artin Gashi shënoi 13 pikë dhe pati tri kërcime.
Xhiroja e 16-të në elitën e basketbollit kosovar përfundon të dielën me tri ndeshje.
Nga ora 17:00 luajnë Sigal Prishtina – Bora dhe Bashkimi – Vëllaznimi, ndërsa Peja nga ora 19:00 përballet me Proton Cable Prizrenin.