Shkruan: Arbër Peci
Në botën e fitnesit, shumë gjëra përsëriten si “rregulla të arta”, pa u analizuar thellë. Njëra prej tyre është edhe ideja që “Coca-Cola është e ndaluar kategorikisht për ata që stërviten apo duan të humbin peshë”. Si trajner me përvojë dhe si dikush që çdo ditë punon me individë të niveleve dhe qëllimeve të ndryshme, dua ta shtjelloj këtë çështje pak më ndryshe – në mënyrë reale dhe të balancuar.
Gjatë ushtrimeve intensive, sidomos kur trupi kalon në lodhje fizike të thellë, ai kërkon energji të shpejtë. Dhe energjia e shpejtë vjen nga karbohidratet e thjeshta, pra sheqeri. Një kanaçe e vogël Coca-Cola përmban pikërisht këtë lloj sheqeri – të gatshëm për t’u përthithur menjëherë dhe për t’i dhënë trupit një shtytje energjie, kur ndoshta një frut ose një proteinë nuk do të funksiononin aq shpejt.
Ka momente gjatë stërvitjes – veçanërisht në fund të një seti të rëndë, ose në një ditë me energji të ulët – kur një gllënjkë e vogël Coca-Cola mund të ndihmojë realisht. Jo për t’u mbushur, por për ta ngritur trupin në një nivel tjetër të performancës, për ta përmbyllur stërvitjen me intensitet. Kjo nuk është teori – kjo është praktikë që ndodh çdo ditë në shumë disiplina, madje edhe në sporte si çiklizmi, vrapimi në distanca të gjata, apo triatloni, ku Coca-Cola përdoret në fazat përfundimtare për të dhënë një “boost” final.
Dikush do të pyesë: Po nëse dua të humb peshë, a bën me pirë Coca-Cola gjatë stërvitjes?
Përgjigja ime është: po, nëse di ta kontrollosh. Humbja e peshës nuk varet nga një kanaçe Coca-Cola, por nga balanca ditore e kalorive dhe shpenzimi energjetik. Nëse ti e përdor Coca-Colën gjatë ushtrimit për të rritur intensitetin dhe për të djegur më shumë kalori, në esencë, ajo të ka ndihmuar në qëllimin tënd. E rëndësishme është të kuptosh kur, pse dhe sa – jo të demonizosh një pije vetëm pse ka sheqer. Sheqeri nuk është armik, nëse e përdor në momentin e duhur dhe në dozën e duhur.
Sigurisht që nuk po them që Coca-Cola është pije e shëndetshme për konsum të përditshëm, dhe as nuk po inkurajoj askënd të bëjë pjesë të përhershme të dietës së tij. Por e vërteta është që, në disa raste, ajo ka vendin e saj edhe në një program serioz stërvitjeje. Edhe në fazën e “cut”-it, nëse ndihesh pa energji dhe të duhet një reagim i menjëhershëm nga trupi, një sasi e vogël Coca-Cola mund të jetë më efektive se shumë alternativa të tjera.
Të dish të menaxhosh detaje të vogla si këto – ky është fitnesi i vërtetë. Nuk ka formula të ngrira për të gjithë. Ka trupa të ndryshëm, nevoja të ndryshme, dhe kontekste që duhen kuptuar.
Mos u kapni pas sloganeve të thata. Stërvituni me mendje, mësoni trupin tuaj, dhe përdorni çdo mjet që ju çon përpara – edhe kur ky mjet është një kanaçe Coca-Cola”. /Telegrafi/