Në një predikament izolimi ndërkombëtar për më shumë se dy vite, tash i është shtuar edhe mungesa e legjitimitetit të brendshëm Albin Kurtit, deputetit i Vetëvendosjes – duke pretenduar të jetë njëkohësisht edhe Kryeministër në detyrë.
Blloku njëzet e shtatë shtetësh evropian, me letër, zi-mbi-të-bardhë, i ka shkruar se nuk i njeh legjitimitetin e atij pozicioni dhe ia ka cituar vendimin e Gjykatës Supreme ku konstatohet se është antikushtetuese mbajtja e dy pushteteve: ekzekutiv dhe legjislativ – përkatësisht, edhe ministër edhe deputetë. Ajo çka në rrafshin e brendshëm politik dihet – tashmë i është komunikuar edhe nga jashtë: Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në një letër drejtuar Albin Kurtit, këtij të fundit i thotë që takimet me të nuk i bëjnë më në Zyrë të Kryeministrit apo në ndërtesë të qeverisë.
Në një letër të datës 8 gusht, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Aivo Orav, i shkruan Kurtit duke iu referuar Aktgjykimit të Gjykatës Supreme se mund të ushtrohen dy pushtete njëkohësisht, dhe se për këtë rrjedhojë “vizitorët e nivelit të lartë të shteteve anëtare të BE-së dhe institucioneve të BE-së do të ndalojë takime me kryeministrin kujdestar Albin Kurtit brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës deri sa një qeveri e mandatuar plotësisht të jetë në vend”.
Ka kohë që fotografitë e Kurtit me zyrtarë të huaj janë në ambiente restoranesh – ndërsa letra e Aivo Orav e saktëson arsyen në terma të hapur. Prej zyrtarëve amerikanë e atyre evropianë, Kurtin e kanë takua në ambiente jashtëinstitucionale.
“Ky vendim riafirmon përkushtimin tonë parimor ndaj sundimit të ligjit, llogaridhënies demokratike dhe integritetit institucional. Kjo letër synon gjithashtu të shmangë çdo paqartësi apo keqinterpretim në të ardhmen, siç ndodhi gjatë vizitës së fundit të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd–Prishtinë. E konsiderojmë thelbësore që angazhimet tona institucionale të jenë plotësisht të harmonizuara me kuadrin kushtetues të Kosovës dhe vendimet e gjykatës më të lartë të saj”, thuhet në letrën e BE-së, siç e ka siguruar Klan Kosova.
Letra vijon të thotë se zyrtarët e lartë të BE-së dhe të vendeve anëtare do të vazhdojnë të mbajnë bashkëpunimit me homologët përkatës për sigurimin e bashkëpunimit në fushat kyçe.
“Besojmë se kjo masë do të kuptohet në frymën e respektit të ndërsjellë dhe në dritën e përkushtimit tonë të përbashkët ndaj qeverisjes së mirë dhe parimeve demokratike që gjithmonë kanë udhëhequr partneritetin tonë”, thuhet më tej.
Çka kishte vendosur Supremja?
Ajo çka dihej si dy plus dy që bëjnë katër: që shkruhet në Kushtetutë të Kosovës dhe në Ligjin për Qeverinë se nuk mundet njëkohësisht dikush të ushtrojë edhe pushtet ekzekutiv (ministër) edhe pushtet legjislativ (deputet) e mori vulën edhe të Gjykatës Supreme. Një Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Financave, me nënshkrim të Hekuran Muratit, u shpall i paligjshëm – dhe vendim antikushtetues – nga Gjykata Supreme e Kosovës. Aty ishte saktësuar se nuk ka edhe ministër edhe deputetë.
Por, aq më keq për Supremen: Albin Kurti i Vetëvendosjes nuk e zbatoi atë, ndërsa vendimi u quajt “primitiv” nga figura kyçe qeveritare si Besnik Bislimi.
“Edhe një rast sa tipik ashtu edhe primitiv i luftës së hapur që gjyqësori i ka shpallur qeverisë dhe zhvillimit të shtetit. Një luftë që me siguri të plotë do ta humb me shumë turp”, pati shkruar Besnik Bislimi./nacionale